Kërko

 Një muaj luftë nga sulmi i Hamasit, tek vala antisemite Një muaj luftë nga sulmi i Hamasit, tek vala antisemite  (ANSA)

Papa: asnjë luftë nuk vlen sa humbja e një njeriu të vetëm!

Papa: “Paqja nuk arrihet me armë, por me dëgjim, me durim, me dialog dhe bashkëpunim”, “krijimi i paqes është punë e ngadaltë dhe e durueshme që kërkon guxim dhe përkushtim konkret”.

R. SH. - Vatikan

“Paqja nuk arrihet me armë, por me dëgjim e durim, dialog e bashkëpunim”, “sigurimi i paqes është punë e ngadaltë dhe e durueshme që kërkon guxim dhe përkushtim konkret”. Kështu shprehet Papa Françesku në një mesazh - nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin - dërguar pjesëmarrësve në edicionin e gjashtë të “Forum de Paris sur la paix” (10-11 nëntor), i cili u lexua sot në mëngjes në hapjen e punimeve nga Kryeipeshkvi Celestino Migliore, Nunc Apostolik në Francë.

"Ndërsa ne ripohojmë të drejtën e patjetërsueshme për vetëmbrojtje si dhe përgjegjësinë për t’i mbrojtur njerëzit që kërcënohen, duhet të pranojmë se lufta është gjithmonë disfatë për njerëzimin. Asnjë luftë nuk vlen sa lotët e një nëne, që e shikon të birin të gjymtuar a të vdekur”, nënvizon Papa.

Papa: paqja nuk krijohet me armë, por me dialog

“Asnjë luftë nuk vlen sa humbja e jetës, qoftë edhe e një njeriu, krijesë e shenjtë, sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Krijuesit”, “Asnjë luftë - vazhdon Françesku - nuk vlen sa helmimi i shtëpisë sonë të përbashkët; asnjë nuk vlen sa dëshpërimi i atyre, që detyrohen të lënë atdheun dhe të humbasin, nga një çast në tjetrin, shtëpinë dhe të gjitha lidhjet familjare, miqësore, shoqërore e kulturore, të krijuara ndonjëherë nga breznia në brezni”.

Prandaj, dialogu dhe bashkëpunimi "mbeten i vetmi mjet i denjë i njeriut për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet" - vëren Papa - i cili përsërit "ftesën e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë për t’i ulur armët e për ta rimenduar prodhimin dhe tregtimin e këtyre mjeteve të vdekjes e të shkatërrimit dhe të nisin vendosmërisht rrugën e çarmatimit progresiv, por të plotë, në mënyrë që më në fund të ngremë zërin që të dëgjohen qartë arsyet e paqes!”.

10 nëntor 2023, 12:36