Lufta në Lindjen e Mesme, telefonatë e Françeskut me Mahmud Abbas
R. SH. - Vatikan
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pohoi se Papa dhe Mahmud Abbas folën mbrëmë në telefon. Presidenti palestinez - siç raportohet nga agjencia palestineze Wafa - gjatë bisedës telefonike shprehu vlerësimin e tij për rolin dhe përpjekjet e Françeskut në mbështetjen dhe veprimtarinë për ndërtimin e paqes në rajon dhe në botë. Abbas më pas nënvizoi rëndësinë jetike që Vatikani të vazhdojë përpjekjet lidhur me sigurimin e armëpushimit të menjëhershëm, duke nënvizuar nevojën për të kursyer civilët nga tmerret e luftës. Mahmoud Abbas - raporton Wafa - ceku edhe urgjencën lidhur me krijimin e korridoreve të përhershme humanitare për dërgimin e furnizimeve mjekësore dhe ushqimore e, sidomos, me ujë dhe energji elektrike në Gaza.
Shqetësimet e Papës
Që nga fillimi i konfliktit, më 7 tetor, Françesku i ka përsëritur vazhdimisht thirrjet e tij për paqe, duke pohuar nevojën për të arritur armëpushimin, për të liruar pengjet nga duart e Hamasit dhe për të lejuar kalimin në kohën e duhur të ndihmës së drejtëpërdrejtë humanitare për popullatën e Gazës. Papa, i cili lidhet çdo ditë me famullinë e Familjes së Shenjtë në Gaza, nëpërmjet zëvendësfamullitarit, Atë Youssef Asaad, motrës Nabila Saleh, Motrave të Rruzares së Jeruzalemit dhe nëpërmjet vetë famullitarit, Atë Gabriel Romanelli, i cili vijon të jetë i bllokuar edhe sot në Betlehem, ditët e fundit, më 22 dhe 26 tetor, pati biseda telefonike edhe me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden si dhe me Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan. Gjatë këtyre bisedave, theksoi kryesisht nevojën për të gjetur rrugët drejt paqes dhe shpresën për të arritur një zgjidhje me dy shtete e me një status të veçantë për Jeruzalemin.