"Jeta. Historia ime në histori”: në pranverë, një libër i ri i Papës
R. SH. - Vatikan
“Jeta. Historia ime në Histori”: ky është titulli i librit të ri të Papës, në të cilin Françesku tregon për herë të parë historinë e jetës së tij, përmes ngjarjeve që jetoi njerëzimi nga shpërthimi i Luftës II Botërore në vitin 1939, kur ai posa i kish mbushur tre vjet, deri në ditët e sotme. Vëllimi do të botohet nga HarperCollins Publishers, që e kumtuan sot daljen e tij. I konceptuar me HarperCollins Italia, përfaqëson për botuesin një projekt global, që do të publikohet në pranverën e vitit 2024 në Itali, Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Kanada, Brazil, Francë, Gjermani, Meksikë, Poloni, Portugali, Spanjë dhe në Amerikën e Jugut.
Ngjarjet që ndryshuan botën, parë nga Françesku
Është hera e parë që HarperCollins, shtëpi botuese me qendër në Nju Jork, boton një libër nga Francesco. Jeta. Historia ime në Histori - informon një njoftim për shtyp - "është shtegtim i jashtëzakonshëm ndër dekada për të rigjurmuar etapat më domethënëse të kohës sonë, përmes kujtimeve të Papës. Ndërmjet tyre: rënia e Murit të Berlinit, grushti i shtetit i Videlës në Argjentinë, zbarkimi në Hënë në vitin 1969 e edhe Kupa e Botës 1986, kur Maradona shënoi golin, që hyri në histori si “dora e Zotit”. Kujtimet e një Bariu i cili, nga këndvështrimi i tij shumë personal, rrëfen vitet e shfarosjes naziste të hebrenjve, bombën atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, rënien e madhe ekonomike të vitit 2008, shembjen e Kullave Binjake, pandeminë, dorëheqjen e Benediktit XVI dhe konklavin, që e zgjodhi Papë me emrin Françesku. Ngjarje të cilat - lexojmë sërish - gërshetohen me jetën e "Papës callejero"-s, i cili në një mënyrë të jashtëzakonshme, rihap thesarin e kujtimeve të tij për të treguar, me çiltërsinë që e dallon, ato çaste, të cilat ia ndryshuan faqen botës.
Temat më të nxehta të aktualitetit
Në të njëjtën kohë, Papa Françesku i dorëzon kohës së tij disa mesazhe të rëndësishme për ngjarjet më të nxehta aktuale: pabarazitë sociale, krizën klimatike, luftërat, armët atomike, diskriminimin racor, betejat në favor të jetës. Zëri i Papës alternohet me një zë tjetër, atë të Fabio Marchese Ragonës, korrespondent i Vatikanit për grupin televiziv Mediaset, i cili në çdo kapitull përshkruan rrethanat historike, në të cilat jetoi Papa.
Mbajini mend, për të mos i përsëritur gabimet
Njoftimi për shtyp jep edhe komentin e Papës për vëllimin: "Në këtë libër tregoj një histori, atë të jetës sime, përmes ngjarjeve më të rëndësishme dhe më dramatike që përjetoi njerëzimi gjatë tetëdhjetë viteve të fundit. Është vëllim, i cili sheh dritën në mënyrë që, sidomos të rinjtë, të dëgjojnë zërin e një të moshuari dhe të reflektojnë për çka jetoi planeti ynë, për të mos i përsëritur gabimet e së shkuarës. Të mendojmë, për shembull, për luftërat që e rrënuan dhe vazhdojnë ta rrënojnë botën! Për gjenocidet, persekutimet, urrejtjen ndërmjet vëllezërve dhe motrave të feve të ndryshme! Sa dhimbje! Si të kemi arritur një moshë të caktuar, është e rëndësishme, edhe për veten tonë, ta rihapim librin dhe të kujtojmë. E, duke kujtuar, të mësojmë! Të shikojmë pas në kohë, të rizbulojmë gjërat e këqija, ato toksike që i kemi përjetuar, së bashku me mëkatet e kryera, por edhe të rijetojmë gjithçka të mirë që na dhuroi Zoti. Është ushtrim aftësie dalluese, që duhet ta bëjnë të gjithë, para se të jetë tepër vonë!" .
Nderim, t’i dorëzosh historinë tënde lexuesit në mbarë botën
“Jemi të nderuar, që botojmë librin e Papës Françesku" - pohon Brian Murray, president dhe administrator i HarperCollins Publishers. “Nga jeta në Argjentinë e deri në emërimin Papë i Kishës Katolike, Papa Françesku jetoi një jetë të jashtëzakonshme, si dëshmitar i disa prej çasteve më vendimtare në historinë e kohëve të fundit. Mezi presim t’ua dorëzojmë historinë e tij lexuesit në mbarë botën”.