Kërko

Papa IDLO-s: drejtësia dhe sundimi i ligjit ndërtojnë një botë paqeje

Në një mesazh drejtuar Organizatës Ndërkombëtare për të Drejtën e Zhvillimit, e cila kremton 40-vjetorin e themelimit të saj, Papa kujton rëndësinë e ligjeve në shoqëri që mbrojnë personin njerëzor dhe u kërkon autoriteteve që ti zbatojnë ato. Ndryshimet klimatike, shton Ati i Shenjtë, komprometojnë të ardhmen e brezave të ardhshëm

R.SH. - Vatikan

Selia e Shenjtë "qëndron përkrah atyre që luftojnë për të forcuar sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale, në mënyrë që përpjekjet e tyre të zbulojnë shtigje të reja shprese drejt një të ardhmeje më premtuese, të drejtë dhe paqësore për të gjitha kombet e botës". Kështu pohon Papa Françesku në një mesazh drejtuar Asamblesë së anëtarëve të IDLO, Organizatës Ndërkombëtare për të Drejtën e Zhvillimit e cila është mbledhur në Romë me rastin e 40-vjetorit të themelimit të saj.

Objektivi i institucionit ndërqeveritar, kujton Papa në mesazhin e tij, është të promovojë sundimin e ligjit "për të ecur drejt paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke inkurajuar nisma të ndryshme për të siguruar që drejtësia të jetë e aksesueshme për të gjithë, veçanërisht për njerëzit më të pafavorizuar në shoqëri".

Asnjë krizë nuk mund të shmangë sundimin e ligjit

Drejtësia, në fakt, kujton Papa, është një kusht "sine qua non për të arritur harmoninë shoqërore dhe vëllazërinë universale që na duhen kaq shumë sot" dhe është "virtyti i nevojshëm për ndërtimin e një bote në të cilën konfliktet zgjidhen vetëm në një mënyrë paqësore, pa mbizotërimin e të drejtës së më të fortit, por fuqisë së ligjit". “Fatkeqësisht”, vazhdon Papa Françesku, “ne jemi larg arritjes së këtij qëllimi”.

Rritja e dhunës në botë, pasojat e ndryshimeve klimatike, korrupsioni dhe pabarazitë, në fakt, nuk justifikojnë "as përjashtimin më të vogël, as në kohë krize"moszbatushmërinë e ligjit dhe mos ndërtimin e shtetit ligjor, i cili është "në shërbimin e njeriut dhe synon të mbrojë dinjitetin e tij dhe kjo nuk lejon përjashtime”. Për më tepër, një konceptim i gabuar për personin po përhapet në demokraci, i cili "dobëson mbrojtjen e tij dhe hap në mënyrë progresive derën për abuzime të rënda nën maskën e së mirës".

28 nëntor 2023, 16:43