Kërko

Konflikti izraelito-palestinez Konflikti izraelito-palestinez  (AFP or licensors)

Françesku: të lutemi për paqen, nga Ukraina në Lindjen e Mesme

Në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, Papa kërkoi t’i lutemi Zotit, duke kujtuar se "kudo që ka luftë", ne "duam paqe", se duam të marrë fund jo vetëm konflikti në Evropën Lindore dhe në Tokën Shenjte, por edhe ai, që po vazhdon në Sudanin e stërmunduar. Përshëndetje skautëve dhe mirënjohje atyre, të cilët dhurojnë gjak, gjest që shpëton "shumë jetë njerëzish".

R. SH. - Vatikan

Papa i fton të gjithë besimtarët të luten për paqen. Sepse - pohoi me forcë - "kudo që ka luftë", ne "duam paqe". Kështu e mbylli Papa Françesku audiencën e përgjithshme sot paradite, 15 nëntor, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke u kërkuar të gjithëve ta lusin Zotin "në mënyrë të veçantë për Ukrainën e martirizuar, e cila vuan kaq shumë", e edhe për paqen "në Tokën Shenjte, Palestinë, Izrael, pa harruar edhe Sudanin, që po vuan prej vitesh”. Ka shumë luftëra, tepër - theksoi Papa - për të vijuar me porosinë:

“Çdo ditë secili të gjejë kohë që të lutet për paqen”.

Dhurimi i gjakut shpëton shumë jetë

 Duke iu drejtuar besimtarëve italianë, Françesku përshëndeti Shoqatën e Vullnetarëve të dhurimit të Gjakut, duke nënvizuar "vlerën etike të dhurimit, gjest që ndihmon për shpëtimin e shumë jetëve njerëzore". Më pas, duke i pritur me dashuri skautistët e Agesci të Foligno-s, së bashku me ministrantët e altarit dhe grupin e baritorisë vokacionale, shoqëruar nga familjet, i nxiti fëmijët mbi të gjitha "që të jenë protagonistë të guximshëm në mjediset ku jetojnë":

“Të jeni, sidomos, dëshmitarë gazmorë të Ungjillit, ndërtues të urave dhe kurrë të mureve, kurrë!”.

Për të rinjtë: mirëpriteni edhe kuptimin e sprovave

Duke përshëndetur sërish të rinjtë e shumtë të pranishëm, në veçanti "grupin e madh" të Institutit "Miraglia" të Laurias, Papa nënvizoi se "Javët e fundit të vitit liturgjik na mbushin me ndjenjën e shpresës së krishterë”:

“Ju ftoj ta kuptoni gjithmonë domethënien dhe vlerën e përvojave të përditshme, madje edhe të provave, duke menduar se ‘çdo gjë ndihmon për të mirën e atyre, që e duan Zotin’".

15 nëntor 2023, 12:28