Françesku: të luftojmë me impenjim kundër çdo forme skllavërie
R.SH. – Vatikan
Ç’rol ka feja në eliminimin e formave bashkëkohore të skllavërisë? Kësaj pyetjeje u përpoqën t’i japin përgjigje pjesëmarrësit në takimin e mbajtur dje, më 13 nëntor, në Casina Pio IV në Vatikan, me titull “Indeksi Global i Skllavërisë 2023, Vatican Spotlight”. Format moderne të skllavërisë janë të ndryshme, duke filluar nga puna tek martesa e detyruar, nga kthimi në shërbëtorë, për shkak të borxheve, tek të gjitha ato situata shfrytëzimi, që njeriu nuk mund t'i refuzojë, ose t’i braktisë, pasi kërcënohet, dhunohet, detyrohet, mashtrohet e vuan nga abuzimi me pushtetin.
Këto janë manifestime të një "murtajeje të rëndë shoqërore", që "shpërfytyron dinjitetin njerëzor" dhe që duhet të luftohen urgjentisht me gjithë impenjimin e mundshëm: kështu shkruan Papa në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dërguar kardinalit Peter Turkson, i cili është kancelari i Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, organizatore e takimit së bashku me ambasadën australiane dhe me organizatën “Walk Free” (Të ecim të lirë).
Ati i Shenjtë, lexohet në telegram, shpreson t’u kushtohet "vëmendje e re vlerave të lirisë, respektit të ndërsjellë dhe solidaritetit", të cilat promovojnë "impenjim më të madh në garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të patjetërsueshme të çdo njeriu" kundër "çdo forme të skllavërisë”.