Kërko

Françesku: të eleminohet nga rrënjët dhuna kundër grave

Thirrje e Papës në një mesazh për fushatën kombëtare italiane kundër të gjitha formave të dhunës: shkalla jonë e humanizmit shihet nga mënyra si i trajtojmë gratë, në të gjitha aspektet e tyre

R.SH. – Vatikan

         "Një egjër helmuese, që e sulmon shoqërinë dhe që duhet eliminuar nga rrënjët." Kështu e quan Papa Françesku dhunën kundër grave në mesazhin drejtuar promotorëve të nismës “Një valë e madhe kundër dhunës mashkullore ndaj grave” organizuar nga Radio1Rai & Cadmi D.I.Re. Ipeshkvi i Romës bën thirrje të priten rrënjët kulturore dhe mendore, që “rriten në tokën e paragjykimeve, të dominimit e të padrejtësive”.

Të veprohet menjëherë

Ati i Shenjtë u kërkon të gjithëve “të mos jenë indiferentë”, por të “veprojnë menjëherë, në të gjitha nivelet, me vendosmëri, urgjencë dhe guxim” për t’u dhënë zë “motrave tona pa zë”. “Shkalla jonë e humanizmit shihet nga mënyra se si i trajtojmë gratë”, shkruan Papa, i cili vë në pah gjendjen e shumë grave “të keqtrajtuara, të abuzuara, të skllavëruara, viktima të arrogancës së atyre, që mendojnë se mund t’ua asgjësojnë trupin dhe jetën, duke i detyruar të dorëzohen para lakmisë së burrave".

Gratë e konsideruara si sende

“Në shumë vende dhe në tepër situata – vijon Ati i Shenjtë – gratë vihen në plan të dytë”, konsiderohen “inferiore”, si të ishin sende. Kur “njeriu reduktohet në send, nuk ka më dinjitet”, lexohet në mesazh, “konsiderohet vetëm një pronë, që mund të përdoret tërësisht, deri edhe në eliminimin e saj”.

Aty ku ka dominim, ka abuzim

Françesku nënvizon rolin e paqartë, që luan mass media, e cila, nga njëra anë, favorizon promovimin e gruas, por, nga ana tjetër, “transmeton mesazhe të rëndësishme në favor të hedonizmit e të konsumizmit, modelet e të cilave, meshkuj dhe femra, u binden kritereve të suksesit, të vetë-afirmimit, të konkurrencës, të pushtetit, për t’i joshur të tjerët dhe për t'i dominuar ata”. Por – vëren Papa – “ku ka dominim, ka abuzim”, ndërsa “Zoti na do të lirë dhe me dinjitet të plotë”.

Të edukohet respekti

Për këtë arsye, sipas Papës, kemi nevojë urgjente për "një aksion edukativ, që, duke filluar nga familja, vendos në qendër njeriun e dinjitetin e tij" dhe favorizon "marrëdhënie të drejta dhe të ekulibruara, bazuar në respektin dhe njohjen reciproke".

10 nëntor 2023, 14:46