Françesku, Sikëve të Emirateve të Bashkuara Arabe: shërbimi vetëmohues ndaj të varfërve na afron me Zotin
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku mirëpret me fjalë mirënjohjeje një delegacion të sikëve nga vende të ndryshme, mbledhur në Romë me nismën e Guru Nanak Darbar, nga Dubai. Mirënjohje për shërbimin “e frymëzuar nga feja”, ofruar vendeve që - kujtoi Papa në fjalimin e shkurtër - “ndonëse larg trojeve tuaja të origjinës, u bënë shtëpia juaj”.
Jetë të pasuruara
“Kjo përpjekje dëshmon përkushtimin tuaj për të jetuar me fe dhe për të kontribuar për të mirën e shoqërisë, duke kërkuar të integroheni dhe, në të njëjtën kohë, të qëndroni besnikë ndaj identitetit tuaj të veçantë” - theksoi Papa:
“Duke ndërtuar ura ndërmjet njerëzve e, veçanërisht duke u shërbyer të varfërve, nevojtarëve dhe të vuajturve, ju i njihni mënyrat e ndryshme në të cilat jetët tuaja u bekuan dhe u pasuruan”.
Vëllazëri, drejtësi dhe paqe
"Besimi dhe shërbimi" janë "ngushtësisht të bashkuar" - vërejti Pap - që më pas citoi Shkrimin Shenjt të Guru Sikh Granth Sahib për të kujtuar se "rruga e vërtetë që të çon tek Zoti, është t’u shërbesh vëllezërve dhe motrave tona":
“Shërbimi vetëmohues ndaj më të vegjëlve, që jetojnë në periferi të shoqërisë, përveçse na bën të vetëdijshëm për vogëlsinë dhe paaftësinë tonë, na afron edhe më shumë me Zotin”.
Papa përfundoi me urimin që "të jenë bekim për të gjithë ata, të cilëve u shërbejnë me frymën e vëllazërisë dhe të barazisë, të drejtësisë dhe të paqes".