Françesku, pranë atyre që vuajnë: ju përqafoj në këtë çast të errët
R. SH. - Vatikan
Nga lufta civile në Sudan, mendimi i Françeskut - pas Engjëllit të kësaj së dieleje, 12 nëntor - shkoi në Lindjen e Mesme, ku vijon konflikti i përgjakshëm. Është i përditshëm - pohon Papa - kujtimi i tij personal për atë, që e quan "situata tejet e rëndë në Izrael dhe në Palestinë":
“Jam pranë të gjithë atyre që vuajnë, palestinezë dhe izraelitë. I përqafoj në këtë çast të errët. E lutem shumë për ta. Të ndalohen armët! Nuk do të sjellin kurrë paqe. E të mos përhapet konflikti! Mjaft! Mjaft, o vëllezër! Mjaft!”.
Ndihma për Gazën e rraskapitur dhe lirim i pengjeve
Papa vijon të flasë për kushtet në të cilat ndodhet Rripi i Gazës. Kërkon të mbrohet shenjtëria e jetës njerëzore, pa dallime:
“Në Gaza, duhen ndihmuar menjëherë plagosurit, duhet të mbrohen civilët e duhet t'i dërgohen shumë më tepër ndihma humanitare asaj popullsie të rraskapitur. Pengjet, ndërmjet të cilëve ka shumë të moshuar dhe fëmijë, duhet të lirohen. Çdo qenie njerëzore, qoftë i krishterë, hebre, mysliman, i çdo populli e i çdo feje, është e shenjtë, e çmuar para syve të Zotit dhe ka të drejtë të jetojë në paqe. Të mos e humbasim shpresën: të lutemi dhe të punojmë pa u lodhur që ndjenja e humanizmit të fitojë mbi ngurtësinë e zemrave”.
Gaza, spitali Shifa është shkatërruar plotësisht
Edhe sot, 12 nëntor, ushtria izraelite siguroi një korridor humanitar 7 orësh për popullatën palestineze që dëshiron të lëvizë nga veriu në jug të Rripit. Zëdhënësi ushtarak Avichai Adraee e dha këtë lajm në arabisht. Rruga e caktuar është ajo e Salah ad Din. Ndërkohë, "ndërtesa dykatëshe e departamentit të sëmundjeve të zemrës në spitalin Shifa, në Gaza, u shkatërrua plotësisht nga një sulm ajror", deklaroi zëvendësministri i Shëndetësisë, Youssef Abou Rich, për agjencinë e lajmeve AFP, duke ia ngarkuar përgjegjësinë për sulmin ushtrisë izraelite. Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) “flet për një numër të konsiderueshëm vdekjesh dhe plagosjesh" gjatë "bombardimit" të selisë së tij në qytetin e Gazës, evakuuar nga punonjësit dhe tani i pushtuar nga qindra palestinezë të zhvendosur. Sipas njoftimeve të agjencisë Wafa, një i ri palestinez u vra në fshatin Burqa (afër Nablus, Bregu Perëndimor në Cisjordani).