Kërko

Papa takohet me pjesëmarrësit në konferencën për mistiken spanjolle María de Jesús de Ágreda Papa takohet me pjesëmarrësit në konferencën për mistiken spanjolle María de Jesús de Ágreda

Françesku: në botën plot lajme, të qëndrojmë në heshtje për Zotin

Papa takohet me pjesëmarrësit në konferencën për mistiken spanjolle María de Jesús de Ágreda, rregultare koncepsioniste. Kuvendi u promovua nga Akademia Ndërkombëtare Papnore Mariane: urdhrat kundruese na mësojnë t'i lëmë vend zërit të Shpirtit Shenjt, nënvizoi Ati i Shenjtë

R.SH. – Vatikan

         Murgesha koncepsioniste françeskane, María de Jesús de Ágreda, spanjolle, ishte "grua e jashtëzakonshme": Françesku e nënvizon këtë në përshëndetjen e tij për pjesëmarrësit në konferencën kushtuar murgeshës për të cilën ka filluar procesi i lumnimit. Kuvendi u promovua nga Akademia Ndërkombëtare Papnore Mariane dhe nga Urdhri kundrues femëror, në të cilin bënte pjesë mistikja mariane, që konsiderohej “e dashuruar me Shkrimin Shenjt" dhe "ungjillëzuese e Amerikës". Tituj, që sipas Papës, na bëjnë të reflektojmë "mbi tre mësime, që rregulltarja kundruese mund t'i japë Kishës": heshtja dhe dëgjimi, lënia e një hapësire për Zotin, duke arritur deri përvojën e ekstazën dhe natyrisht, atë të misionit.

Njohja e Shkrimit Shenjt në shkollën e lutjes

Mësimi i parë është përgatitja e vetvetes "për të mirëpritur zërin e të Dashurit në zemër", Fjalën e Zotit, një karakteristikë specifike e grave, theksoi Papa, që “dinë të dëgjojnë dhe kanë një thirrje të veçantë për dëgjimin".

“Është e habitshme se si, edhe pa formim të veçantë, disa motra rregulltare kanë njohuri të konsiderueshme nga Shkrimi Shenjt dhe, në shkollën e lutjes, kanë shuar etjen me të si nga një burim i gjallë. Prandaj, t'i quash "të dashuruara" me Shkrimin Shenjt është shprehje përtej lavdërimit të përdorimit të tij në shkrimet e tyre, do të thotë të shohësh vetë Krishtin, që u flet atyre dhe ma flet përmes Fjalës së tij, duke na kërkuar që, sipas shembullit të Marisë, ta ruajmë çdo gjë në zemër. E, nganjëherë, kundrimi bëhet në heshtje, përpara Zotit, në heshtje. Dhe në këtë botë, gjithnjë të mbushur me gjëra, fjalë, lajme, me një industri të tërë e komunikimi të jashtëm, komunikimi të brendshëm, heshtja është shumë e nevojshme”.

T’i bëhet vend Zotit, për të mirëpritur Shpirtin Shenjt

Së dyti, për Françeskun, nga kundrimi mënsojmë atë marrëdhënie me Zotin, që lind nga dëgjimi dhe nga mishërimi në jetë i Shkrimit Shenjt. I duhet bërë vend Zotit për të mirëpritur Shpirtin Shenjt.

“Ky është shembulli i shën Marisë, e cila e mirëpriti atë në zemrën e saj të papërlyer përpara se në krahahrorin e virgjër. Në këtë kuptim, kundrueset na mësojnë, përmes një rruge asketizmi, lëshimi në dorë të Zotit dhe besnikërie, gëzimin e të jetuarit vetëm për Të”.

Misioni në jetën kundruese

Përsa i përket mësimit të tretë, misionit, Nënë Ágreda dhe rregulltaret koncepsioniste, duke qenë "murgeshat e para të klauzurës, që mbërritën në Amerikë", dëshmojnë sa "shpirt misionar" ka në jetën kundruese, shpjegoi Papa. Nënë Ágreda ndihej e thirrur nga Zoti që "të lutej për ata shpirtra, të cilët nuk e njihnin akoma Hyjin", siç ishin indiosit amerikanë. Forcën e kësaj lutjeje na e mëson “Maria në dasmën e Kanës”, shtoi Françesku. Virgjëra na çon tek i Biri, përfundoi Papa, "na sjell Jezusin”,  e “ne duhet ta imitojmë këtë qëndrim kaq të bukur, duke u çuar të tjerëve Zotin".

16 nëntor 2023, 14:35