Françesku do ta kremtojë lutjen e Engjëllit nga Shtëpia e Shën Martës
R. SH. - Vatikan
Papa nuk do të duket sot në dritaren e studios së tij, mbi Sheshin e Shën Pjetrit, sipas traditës prej disa dekadash. Sot për sot "dritarja" nga e cila Françesku do të duket idealisht për kremtimin e Engjëllit në mesditë, do të jetë ajo mediatike e hapur në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Lajmi i kësaj së dieleje, 26 nëntor, u komunikua pak më parë përmes Telegramit nga Salla e Shtypit e Vatikanit, që saktësoi se lutja mariane e kryesuar nga Françesku “do të transmetohet drejtpërdrejt në televizion dhe në ekranet e pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit nga Vatikan Media dhe në streaming, në faqen e internetit të Vatican News”.
Gripi i lehtë dhe kontrolli i mushkërive
Një ngjarje e pashoqe - e ndryshme edhe nga fundi i pandemisë, gjatë së cilës lutjet e Engjëllit u kremtuan nga Pallati Apostolik pa u parë - me sa duket e rekomanduar nga masa paraprake e asaj që ndodhi dje, kur në dy komunikime ndërmjet mëngjesit dhe pasdites, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, dha në media njoftimin për anulimin e audiencave papanore të së shtunës për shkak të "gripit të lehtë" të Françeskut.
Në orët e para të pasdites Bruni më pas kujtoi skanimin e CT që Papa iu nënshtrua në spitalin Gemelli Isola në Romë, "për të përjashtuar rrezikun e komplikimeve pulmonare", duke specifikuar se testi kishte dhënë "rezultat negativ".