Tërmet në Afganistan, Papa: ta ndihmojmë popullatën, që vijon të vuajë
R. SH. - Vatikan
Jo vetëm “dhimbja” për dhunën që po ndodh në Lindjen e Mesme, por edhe shqetësimi për Afganistanin, gjunjëzuar nga tërmeti që goditi pjesën perëndimore të vendit të shtunën e kaluar, ku toka vazhdon të lëkundet. Në përfundim të audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku, na kërkon të lutemi "për ata që vuajnë nga uria, padrejtësia dhe lufta, veçanërisht për Ukrainën e shtrenjtë dhe të martirizuar" duke kujtuar edhe popullsinë, e cila "po vuan pas tërmetit shkatërrues që e goditi, duke shkaktuar mijëra viktima, ndërmjet të cilave, shumë gra, fëmijë dhe njerëz të zhvendosur".
T’i lehtësojmë vuajtjet e njerëzve
Papa fton "të gjithë njerëzit vullnetmirë ta ndihmojnë këtë popull të vënë në një provë kaq të rëndë, duke kontribuar me frymën e vëllazërisë për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve dhe për të mbështetur rindërtimin e nevojshëm".
Mbi 2 mijë të vdekur
Më 7 tetor, një seri tërmetesh të dhunshme me magnitudë 4.6 dhe 6.3 shkatërruan provincën e Heratit, duke rrafshuar për tokë rreth njëzet fshatra. Rreth 3 mijë të vdekur dhe gati 10 mijë të plagosur, sipas shifrave të para të regjimit taleban në Kabul, lëshuar përmes autoritetit të menaxhimit të emergjencave. Epiqendra e tërmetit ishte jo shumë larg Zindah Janit, në një distancë prej rreth 55 kilometrash në verilindje të qytetit, në luginën e lumit Hari, qendër e provincës Herat.
Goditje të reja
Një tërmet i ri i fortë me magnitudë 6.3 tronditi sërish perëndimin e vendit në orët e fundit. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti i ri i orëve të fundit lëkundi kryesisht zonën pranë qytetit të Heratit, pranë epiqendrës së tërmetit të së shtunës së kaluar.