Përshëndetja e Papës për festën e Zojës së Aparecida-s
R.SH. - Vatikan
"Është festa e Zojës së Aparecidës. E mbaj në zemër. E kujtoj këtë qytet dhe Virgjrën. Na bekoftë shumë, ju ruajtë ju dhe gjithë popullin brazilian. Unë lutem për ju, ju dërgoj bekimi tim dhe ju lutem lutuni për mua. Ju lutem! Faleminderit".
Në ditën e festës së Patrores Qiellore të Brazilit të së Lumes Mari Virgjër, e njohur si Zoja e Aparecidës, Papa Françesku deshi të shprehte nga Sinodi dashurinë e tij për Brazilin dhe brazilianët. Në veçanti, Françesku kujtoi vizitën e tij në Aparecida 10 vjet më parë, më 24 korrik 2013, kur gjatë pjesëmarrjes së tij në Ditën Botërore të Rinisë, që asokohe u mbajt në Rio de Zhaneiro, deshi të gjente një hapësirë kohepër të vizituar edhe Shenjtëroren Mariane.
Mesha në Shenjtëroren e Aparecidës më 2013
Me atë rast, Françesku kremtoi Meshën dhe në predikimin e tij kujtoi Konferencën e Pestë të Përgjithshme të Episkopatit të Amerikës Latine dhe Karaibeve të majit 2007. "Ajo Konferencë - tha Bergoglio - ishte një moment madhështor i Kishës. Dhe në fakt. Mund të thuhet se Dokumenti i Aparecidës lindi pikërisht nga ky gërshetim i punës së Barinjve dhe feja e thjeshtë e shtegtarëve, nën mbrojtjen amtare të Marisë Virgjër. Kisha, kur kërkon Krishtin, troket gjithmonë në shtëpinë e Nënës dhe pyet: 'Na e trego Jezusin' . Prej saj mësojmë të jemi dishepuj të vërtetë. Dhe kjo është arsyeja pse Kisha shkon gjithmonë në mision sipas gjurmëve të Marisë."
Në Kopshtet e Vatikanit
Në këto 10 vite të papnisë, ka pasur referime të panumërta për Zojën e Aparecida-s, Pajtoren e Brazilit. Më 3 shtator 2016, Françesku përuroi një imazh të Zojës së Aparecidës në Kopshtet e Vatikanit dhe i ftoi besimtarët të luten për “më të varfërit, të flakurit e shoqërisë, të moshuarit e braktisur, fëmijët e rrugës; që Zoja ti ruajë ata persona që mënjanohen dhe vendosen në duart e shfrytëzuesve të çdo lloji; Zoja e Aparecida-s e shpëtoftë popullin e saj me drejtësinë shoqërore dhe dashurinë e Jezu Krishtit, Birit të saj".
“Të kërkojmë me dashuri, për të gjithë popullin brazilian – pati përfunduar Papa – që Ajo, Nënë, të na bekojë. Zoja e Aparecida-s qe gjetur nga punëtorët e varfër: uroj që sot ajo të gjendet nga të gjithë, sidomos nga ata që kanë nevojë për punë, arsim, nga ata që nuk kanë dinjitet”.
Traditë e gjatë
Gjetur në agimin e 12 tetorit 1717 nga tre peshkatarë, në ujrat e lumit Paraiba, shtatorja e Zojës u vendos në një kasolle të thjeshtë e, brenda pak kohësh, në fshatrat përreth u përhap lajmi i një peshkimi të mrekullueshëm. Ҫdo mbrëmje, një grup gjithnjë e më i madh peshkatarësh filloi ta nderojë shtatoren e Shën Marisë Virgjër e të thoshte rruzaren. E quajtën “Aparecida”, pra “Ajo, që u duk”. Me kohë, turma u bë kaq e madhe, sa u desh të ngrihej një kapelë e parë e pastaj, në vitin 1737, një tjetër, edhe më e madhe. Të shumta, dëshmitë e hireve e të mrekullive, që ndodhën në atë shenjtërore.
Gjon Pali II, Papa i parë që vizitoi shenjtëroren
Në korrik të vitit 1980, Gjon Pali II qe Papa i parë, që e vizitoi shenjtëroren e Aparecida-s. Më vonë, më 2007, shkoi Papa Benedikti XVI, që e quajti shenjtëroren “zemra mariane e Brazilit”. Më 24 korrik 2013, me rastin e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë, mesha u kremtua nga Papa Françesku, pikërisht në Bazilikën e shenjtërores. “Edhe unë – pati thënë Ati i Shenjtë në homeli – vij të trokas në portën e shtëpisë së Marisë – e cila e deshi dhe e edukoi Jezusin – që të na ndihmojë ne të gjithëve, barinjve të Popullit të Zotit, të ndihmojë prindërit dhe edukatorët, për t’u transmetuar të rinjve vlerat, që i bëjnë protagonistë të një kombi e të një bote më të drejtë, më solidare e më vëllazërore”.
( Bianca Fraccalvieri)