Papa: terrorizmi dhe lufta nuk çojnë në asnjë zgjidhje, le të ketë paqe në Izrael dhe Palestinë
R.SH. / Vatikan
"Po ndjek me shqetësim dhe dhimbje atë që po ndodh në Izrael ku dhuna ka shpërthyer edhe më shpejt e më ashpër, duke shkaktuar qindra të vdekur dhe të plagosur. Shpreh afërsinë time me familjet e viktimave, lutem për ta dhe për të gjithë ata që po përjetojnë orë terrori dhe ankthi”. Kështu tha Papa Françesku në fund të lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar sot në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
"Ju lutemi ndaloni sulmet dhe armët - është thirrja e Papës - e të kuptojmë se terrorizmi dhe lufta nuk çojnë në asnjë zgjidhje, por vetëm në vdekje, në vuajtje të shumë të pafajshmëve. Lufta është një disfatë. Çdo luftë është një disfatë . Të lutemi për paqen në Izrael dhe Palestinë".
“Në këtë muaj të tetorit, kushtuar jo vetëm misioneve, por edhe lutjes së Rruzares – shtoi Papa – të mos lodhemi duke kërkuar përmes lutjes, me ndërmjetësimin e Marisë, dhuratën e paqes në shumë vende të botës të prekura nga luftërat dhe konfliktet; dhe të vazhdojmë të kujtojmë Ukrainën e dashur, e cila vuan kaq shumë çdo ditë, aq e torturuar”.
Që dje pasdite Patriarkana Latine e Jeruzalemit pati përhapur një deklaratë për situatën shumë të rëndë në Izraelin jugor dhe Gaza: "Cikli i dhunës që ka vrarë shumë palestinezë dhe izraelitë në muajt e fundit shpërtheu mëngjesin e sotëm. Ne jemi dëshmitarë të një shpërthimi të papritur dhune që është shqetësuese për nga shtrirja dhe intensiteti i saj. Operacioni i nisur nga Gaza dhe reagimi i ushtrisë izraelite na kthejnë në periudhat më të këqija të historisë sonë”.
"Gjakderdhja e vazhdueshme dhe deklaratat e luftës na kujtojnë edhe një herë nevojën urgjente për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për konfliktin izraelito-palestinez në këtë tokë që quhet toka e drejtësisë, paqes dhe pajtimit midis popujve. T’i kërkojmë Zotit që të frymëzojë liderët botërorë në ndërhyrjen e tyre për të sjellë paqen dhe harmoninë, kështu që Jeruzalemi të jetë një shtëpi lutjeje për të gjithë popujt."