Papa: të mos i harrojmë të uriturit, të zgjedhim çka është e drejtë, e jo vetëm e dobishme
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku u dërgon një mesazh të përzemërt pjesëmarrësve në "Fshatrat Coldiretti", mbledhur në Circus Maximus, në Romë, nga 13 deri më sot, 15 tetor, për një ngjarje të rëndësishme me qindra stenda dhe me praninë e kultivuesve e sipërmarrësve në sektorin e bujqësisë nga rajone të ndryshme italiane. Ati i Shenjtë i këshillon: "Ndërsa mendoni se si të përmirësoni veçorinë dhe cilësinë e ushqimit agro-ushqimor Made in Italy, ju ftoj të kujtoni ata, të cilëve u mungon çka është e nevojshme për të shuar urinë".
Puna bujqësore, parë si pjesëmarrje në planin e Zotit
Papa kujton se në enciklikën Mater et Magistra, Shën Gjoni XXIII pati nënvizuar vlerën e punës bujqësore për promovimin e burrave dhe grave që i kushtohen, si dhe për bashkësitë, duke e parë edhe si "pjesëmarrje në punën për realizimin e planit të Zotit në histori”. Për paraardhësin e tij, puna në tokë “duhet konceptuar e jetuar si thirrje e si mision”. Françesku vazhdon:
“Krijimin e deshi vetë Zoti, si dhuratë dhe trashëgim që iu besua njeriut. E krijuar në Fjalën e amshuar dhe nëpërmjet saj, ajo nuk doli nga duart e Krijuesit krejtësisht e "kryer", por "në zhvillim e sipër”, e drejtuar drejt përfundimit. Duke ia dorëzuar njeriut, si pasuri për t'u ruajtur, Zoti e rregulloi që ai të kontribuonte në drejtimin e asaj përsosmërie, për të cilën është e paracaktuar e që do të arrihet në fund të kohëve”.
Njeriu ka për detyrë të kultivojë dhe të kujdeset për tokën
Ta shndërrosh tokën dhe ta bësh të japë fryt, do të thotë, pra, "bashkëpunim me planin fillestar të Zotit". Zanafilla, shkruan Papa Françesku, na sqaron sesi përmes punës bujqësore njeriu mund “të njohë në krijim shenjën e aleancës së Zotit me të”. Zoti i beson "kopshtin e vet të mrekullueshëm" për t'u kujdesur për të duke e ruajtur atë materialisht dhe moralisht.
Në historinë e Zanafillës, të mësuarit për të njohur ligjet e bujqësisë, ndërtimi i kanaleve për të modifikuar rrjedhën e lumenjve e tjerë e tjerë, janë punë që duhen kryer me synimin për një arritje të dyfishtë: ta bëjmë tokën më të bukur dhe më frytdhënëse, e njëkohësisht edhe më njerëzore, më mikpritëse për jetën e banorëve të saj. Ndërsa njeriu punon, bota ndryshon, por ndryshon edhe ai vetë, duke u bërë më i përgjegjshëm dhe më bujar.
Keqtrajtimi i tokës paguhet shtrenjt
Kuptimi i urdhrit të Zotit për ta "sunduar tokën" - vazhdon Françesku - qartësohet edhe më mirë në Zanafillë, sepse në të sundimi shihet me "logjikën e dashurisë që bëhet shërbim" i dëshmuar nga "Zoti i kryqëzuar dhe i ringjallur". Megjithatë sot, vëren Papa, përmes teknologjive të reja, njeriu ushtron fuqinë e tij "shpesh duke e detyruar tokën të japë fryte", por çmimi i paguar nga natyra është shumë i lartë:
“Këtë e dëshmon kriza klimatike, që po jetojmë: ndikimi ambiental i ritmeve intensive të miratuara deri më tani, ka ndikuar negativisht në të korrat, duke krijuar qarqe vicioze nga të cilat është gjithnjë e më e vështirë të shpëtosh. Sa më shumë e keqtrajtojmë tokën, duke ndotur ujin dhe ajrin, aq më shumë i heqim hapësirën biodiversitetit, duke prerë pyjet dhe duke kompromentuar ekosistemet, aq më i vështirë bëhet përballimi i paqëndrueshmërisë së ngjarjeve meteorologjike”.
Duhen zhdukur padrejtësitë me aksione konkrete
Njëherësh me natyrën, edhe njerëzimi vuan nga pasojat e ndryshimeve klimatike, e në veçanti, më të varfërit, që rrezikojnë të mbeten edhe pa bukën e përditshme. Prej këndej, thirrja e Papës për zgjedhjen e rrugëve, që i sigurojnë gjithë popullatës së botës ushqimin e nevojshëm:
“Prandaj është detyrë e të gjithëve që ta zhdukin këtë padrejtësi me veprime konkrete dhe praktika të mira, me politika lokale dhe ndërkombëtare, që kanë guximin të zgjedhin të drejtën dhe jo thjesht të dobishmen, të përshtatshmen, fitimprurësen”.
“Të mos i harrojmë të varfërit” - shprehet sërish Papa Françesku - duke na ftuar të ëndërrojmë dhe të angazhohemi, “duke mbjellur farët e paqes”, për “një botë në të cilën uji, buka, puna, ilaçet, toka, banesa janë mallra që i takojnë çdo njeriu!”.