Papa priti në audiencë Presidentin e Irlandës Higgins
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku priti në audiencë, sot paradite, Presidentin e Irlandës Michael D. Higgins. Pas një bisede të përzemërt me Atin e Shenjtë, që zgjati 25 minuta, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Presidenti Higgins u takua me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit
Siç njofton Zyra e Shtypit e Vatikanit, gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë "u vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Irlandës e Selisë së Shenjtë dhe u trajtuan disa çështje me interes të përbashkët". Në vazhdim të bisedimeve, vijon njoftimi, “u trajtuan disa çështje me karakter global, si siguria ushqimore në vendet në zhvillim dhe angazhimi për zhdukjen e varfërisë, mbrojtja e mjedisit në dritën e botimit të nxitjes apostolike Laudate Deum, fenomeni i migrimit në situatën aktuale delikate gjeopolitike globale, si dhe zhvillimi i një multilateralizmi që i përgjigjet në mënyrë adekuate situatës aktuale ndërkombëtare".
Shkëmbimi i dhuratave
Gjatë shkëmbimit të dhuratave, Papa i dhuroi Presidentit një shkrirje prej bronzi që paraqet dy duar që shtrëngohen, në sfond kolonada e Sheshit të Shën Pjetrit, një grua me një fëmijë në krahë dhe një anije emigrantësh. Vepra mban fjalët “T’i mbushim duart me duar të tjera”. Dhuratat e tjera të Françeskut janë: vëllimet e dokumenteve papnore, Mesazhi për Ditën e Paqes së këtij viti, Dokumenti mbi Vëllazërinë Njerëzore dhe libri mbi Statio Orbis të 27 marsit 2020, redaktuar nga shtëpia botuese e Vatikanit (Lev).
Presidenti Higgins iu përgjigj me dhuratën e një vepre prej bronzi (Të dëbuarit) kushtuar emigrantëve realizuar nga skulptori irlandez John Behan.