Papa: luftërat janë gjithmonë të gabuara, fëmijët do të na shpëtojnë
Lajmet e Vatikanit
“Luftërat janë gjithmonë të gabuara” - kështu i përgjigjet Papa Daríos, një çuni dhjetëvjeçar spanjoll, në një libër redaktuar nga korrespondenti i Vatikanit në La Stampa, Domenico Agasso, i cili pati idenë të mblidhte një sërë pyetjesh për Françeskun. Libri, i ilustruar, që titullohet “Të dashur fëmijë... Papa u përgjigjet pyetjeve tuaja”, botuar nga Mondadori ElectaKids, do të dalë në libraritë të martën e ardhshme. Gazeta e Torinos botoi sot disa fragmente.
Darío e pyet Françeskun: "Pse ka luftëra?". E Papa i përgjigjet: “Sepse kur rritemi, rrezikohemi të biem në tundimin e egoizmit, duke kërkuar kështu pushtet dhe para. Edhe me çmimin e luftës kundër ndonjë vendi tjetër që është pengesë për këtë synim pushteti, ose që ka një lider me të njëjtat synime. E edhe pse e di fare mirë se do të vrasë njerëz të tjerë. Shumë shpesh, në histori, ata që janë bërë udhëheqës të një kombi nuk kanë mundur të frenojnë dëshirën e tyre për të qenë më të fortët nga të gjithë, për të komanduar këdo e kudo! Domethënë, gjithë botën. E këtë sjellje, që quhet 'interes perandorak', do ta studiosh në shkollë në librat e historisë. Sot në planet ka shumë luftëra dhe dhunë, madje edhe nëse ndokush thotë ndonjëherë se kanë të drejtë, nuk kam dyshim se do ta kuptoni që ata gjithmonë e kanë gabim. Luftërat janë gjithmonë të gabuara”.
Isabela, nëntë vjeç, nga Panamaja, e pyet Françeskun: “A mendoni se një ditë do të ketë paqe në të gjithë botën? Si mund të bëhet?".
“Po, ne nuk duhet të japim dorëheqjen - përgjigjet Papa – paqja është e mundur, e arritshme. Shpresoj që herët a vonë 'të rriturit' do ta kuptojnë se në një botë krejtësisht paqësore, të gjithë jetojnë më mirë. Megjithatë, të gjithë duhet të angazhohen për të ulur armët e për të zbutur dhunën, e jo për të provokuar tensione dhe ndeshje. E edhe për të zhdukur nga zemra dëshirën për t’i sunduar të tjerët, etjen për pushtet e para. Në zemrat tona duhet të ketë vetëm dashuri për të tjerët, për njerëzit që janë afër dhe larg nesh, veçanërisht ata që vuajnë ose për ndonjë arsye, kalojnë çaste të vështira. E kjo duhet të zbatohet edhe nga prijësit e kombeve të planetit. Nëse të gjithë do të jetonim në këtë mënyrë, do të kishte më pak agresion e më pak frikë: të gjithë do të ishim më të qetë, më të lumtur. Dashuria e mposht luftën dhe të bën të lumtur”.
Maria, nëntë vjeç, nga Hungaria, pyet pse Papa shpesh u kujton të rriturve se duhet të mësojnë nga fëmijët. “Sepse jeni të mençur - përgjigjet Françesku – keni zemër të pastër, pa paragjykime. E sepse ju ta thoni troç të vërtetën (...) Pa e kuptuar, ndihmoni të rriturit që dinë t'ju dëgjojnë dhe, në veçanti, prindërit tuaj, të jetojnë me ndershmëri dhe bujari. Ju, fëmijë, dini t'i jepni vlerën e duhur kohëve të jetës: atyre të studimit, të lutjes, të argëtimit, të lojës vetëm, me miqtë dhe me prindërit; e unë shpresoj se prindërit do të jenë në gjendje të gjejnë kohë për të luajtur me ju. Dhe pastaj, i ndihmoni të mëdhenjtë të jenë të përvuajtur. Sepse për ju ata janë thjesht mami ose babi, ose edhe zonja dhe zotërinj të rritur.
Prandaj ‘mbani qëndrim” ndaj atij, që është tepër narcizist: sepse për ju ai i rritur nuk është i rëndësishëm sepse ka pozitë me rëndësi, apo sepse është i famshëm, por thjesht për rolin që luan ndaj jush”.
Pali, edhe ai nëntë vjeç, norvegjez, e pyet Françeskun pse duhet të kujdeset për natyrën. “Sepse ndryshimet klimatike dhe ndotja e shkaktuar nga qeniet njerëzore - shpjegon Papa - mund të çojnë në zhdukjen e njerëzimit, nëpërmjet fenomeneve të tilla si ngrohja globale, shkatërrimi i natyrës, degradimi i mjedisit dhe si pasojë, zhdukja e biodiversitetit. E edhe nga sëmundjet e reja vdekjeprurëse. Por unë kam besim – pohon më pas Françesku - në ndërgjegjësimin kolektiv të të rinjve dhe të fëmijëve për çështjet ambientale: djemtë dhe vajzat, shpesh falë shkollës, e kanë kuptuar se e ardhmja është e tyre dhe, për këtë arsye, ne duhet të veprojmë urgjentisht në të sotmen, për të shpëtuar të ardhmen". Edhe nëse tani "masat ekologjike të shteteve në nivel ndërkombëtar janë vendimtare”, sjellja e secilit prej nesh çdo ditë vijon të jetë e rëndësishme: grumbullimi i ndarë i mbetjeve, vëmendja për të mos shpërdoruar ujin dhe ushqimin, leximi i librave që shpjegojnë hollësisht problemet e Tokës sonë. Të gjithë së bashku duhet të mos e ndotim më Krijimin dhe të kujdesemi për të, të zgjedhim gjithmonë veprime që janë për të mirën e tokës sonë, sepse ajo është Shtëpia jonë e përbashkët, një “angazhim njerëzor por edhe i krishterë”.
Më pas flet edhe Samueli, 10 vjeç, nga Sudani. Tregon se jeton në një kamp refugjatësh mes miqsh të kequshqyer dhe se kur gjërat shkojnë mirë "hahet vetëm një vakt në ditë". Ai i tregon Papës se buzëqesh gjithmonë, edhe pse ndonjëherë “papritmas i vjen të qajë. Mbasi i duhet të ikë larg...”. Françesku i gjegjet se e kupton. "Çdo fëmijë - e ngushëllon - duhet të jetë në gjendje të shkojë në shkollë, të ketë hapësira për të luajtur dhe për t'u argëtuar". E shton edhe se duket pothuajse normale të besohet se Afrika "duhet vetëm për t’u shfrytëzuar e jo për t’u ndihmuar". Por ju lutem – vazhdon - “mos e humbni shpresën për një të ardhme më të mirë. Unë besoj se herët a vonë vendet më të pasura do ta kuptojnë se nuk mund të vazhdojnë ta përdorin e më pas ta braktisin tokën tuaj; ata do të investojnë burime për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve tuaja serioze dhe për të filluar një shndërrim social, që u krijon të gjithëve mundësinë për jetë dinjitoze si dhe mundësinë për të ëndërruar një kohë të begatë, jo shumë të largët".
Aleksandri, dhjetë vjeç, nga Italia, e pyet Papën çfarë mendon për faktin se të rriturit që dëgjon, nuk duan të arrijnë në vendin e tyre "familjet nga vendet më të varfra". Por edhe nëse do të ishte kështu - pohon - ai do të bëhej se do bëhej "mik i Momos".
Françesku përsërit se ajo që ka rëndësi është vlera e "miqësisë shoqërore": ne duhet - nënvizon - "t’i shikojmë të gjithë si vëllezër e motra, pa mosbesime per vendet e origjinës, për fenë apo kulturën e ndryshme. E edhe të jemi shembull për ata, që kanë paragjykime per të ardhurit nga larg, per 'te huajt'. Askush nuk duhet te ndjehet më i huaj, askund. Dhe ju femijët duhet të shquheni për pritjen e mirë të miqve dhe shoqëruesve të rinj, ashtu si janë, me identitetin e tyre, pa harruar se shpesh detyrohen të ikin nga luftërat, nga dhuna e, ndonjëherë, edhe nga varfëria, uria, persekutimi. Edhe në këtë fushë, të rriturit, duke përfshirë udhëheqësit e kombeve, duhet të mësojnë nga ju: mbrojini rrënjët e, në të njëjtën kohë, hapjani zemrën botës”.