Papa: Charles de Foucauld, shembull i Ungjillit të shpallur me butësi
R. SH. - Vatikan
"Sot dua t'ju flas për një njeri, që i bëri Jezusin dhe vëllezërit e tij më të varfër, pasion të jetës" – u kujtoi Papa Françesku besimtarëve, duke nisur audiencën e së mërkurës në Sheshin e Shën Pjetrit. Është Shën Charles de Foucauld, dëshmitar i zellit në kumtimin e Ungjillit dhe i butësisë, i kërkimit të dialogut, i afërsisë me të gjithë. Në zemër të jetës së tij është Eukaristia, para së cilës gjunjëzohet për një kohë të gjatë në lutje dhe adhurim, duke ndjerë se vetëm Jezusi i pranishëm atje, mund ta afrojë me vëllezër dhe motra të shumta, jo të krishtera.
"Humba zemrën, për Krishtin"
“Shën Charles de Foucauld, zemër që rrihte nga bamirësia, në një jetë krejtësisht të fshehur”: ky, titulli i katekizmit. I rikthyer në fe, pas një rinie, të jetuar larg Zotit, Shën Charl de Foucald e kujton kështu vetveten e atyre kohëve: "Humba zemrën time, për të fituar Jezusin e Nazaretit". E Papa vazhdon:
“Vëllai Charles na kujton kështu se hapi i parë për të ungjillëzuar është ta kemi Jezusin brenda zemrës sonë, të 'humbasim kokën' për Të. Nëse kjo nuk ndodh, nuk ka gjasa të jemi në gjendje ta dëshmojmë me jetën tonë. Në vend të kësaj, rrezikojmë të flasim për veten, për grupin tonë, për një moral ose, edhe më keq, një grup rregullash, por jo për Jezusin, për dashurinë e tij, mëshirën e tij. (...) Besoj se sot do të ishte mirë që secili prej nesh të pyeste veten: ‘A e kam Jezusin në loçkë të zemrës? A e kam humbur sadopak kokën për Jezusin?”.
Ta bëjmë Jezusin të njohur me gjithë jetën tonë
De Focauld dëshiron të thellojë njohuritë e tij për Jezusin, dëshiron t’i përngjasë. Prandaj niset për në Tokën Shenjte ku jeton "orë e orë duke shfletuar Ungjijtë e, duke e njohur Zotin, ndjen dëshirën për ta bërë të njohur edhe tek të tjerët. “Kur secili prej nesh - shton Papa - e njeh më shumë Jezusin, i lind dëshira për ta bërë të njohur, për ta ndarë me të tjerët këtë thesar”:
“Po, por si? Ashtu si Maria në misterin e Vizitës: ‘në heshtje, me shembull, me jetë’. Me jetë, sepse ‘e gjithë jeta jonë - shkruan vëllai Charles ‘duhet ta predikojë me zë të lartë Ungjillin’. Ndërsa shumë e shumë herë gjatë jetës sonë predikojmë botën, themi një mori marrëzish, shqiptojmë fjalë të çuditshme. E ai vijon të na thotë: ‘Jo, e gjithë jeta jonë duhet të predikojë me sa zë që ka Ungjillin”.
A besojmë në fuqinë e Eukaristisë?
Më pas, si vendosi të shtegtonte në vende të largëta, Charles u ndalua në shkretëtirën e Saharasë, ndërmjet Tuaregëve, që nuk janë të krishterë, gjë që nuk e pengoi fare t’u çonte miqësinë e tij dhe dëshminë e heshtur, të ëmbël e të butë të Ungjillit. Kishte pranë Jezusin e pranishëm në Eukaristi dhe ia besonte Atij gjithçka – vazhdon Papa:
“Kështu lutet tek këmbët e Krishtit përpara tabernakullit për rreth dhjetë orë në ditë, i sigurt se forca ungjillëzuese është aty e duke ndjerë se është Jezusi ai, që e afron me shumë vëllezër dhe motra të largëta. Po ne, pyes veten, a besojmë në fuqinë e Eukaristisë? A e gjen shërbimi ynë, takimi me të tjerët, aty, tek Adhurimi, fillimin dhe përmbushjen e tij? Jam i bindur se e kemi humbur ndjenjën e adhurimit: duhet ta gjejmë përsëri!”.
"Çdo i krishterë është apostull"
Papa Françesku përshkruan një aspekt tjetër të përshpirtërisë së Shën Charles de Foucauld, i cili "parashikon kohët e Koncilit II të Vatikanit" me bindjen se "çdo i krishterë është apostull" dhe se shpallja e Ungjillit i përket të gjithë popullit të Zotit. Gjë që mund të bëhet vetëm me lutjen dhe dëgjimin e Shpirtit, gjithmonë krijues:
“Shën Charles de Foucauld, figurë profetike për kohën tonë, dëshmoi bukurinë e komunikimit të Ungjillit përmes apostullimit të butësisë: ai, që e ndjente veten ‘vëlla universal’ dhe që i mirëpriti të gjithë, na kujton fuqinë ungjillëzuese të butësisë (...). Të jetuarit e mirësisë së Jezusit e ndihmoi të krijonte lidhje dhe miqësi vëllazërore me të varfërit, me tuaregët, me më të largët nga mendësia e tij. Pak nga pak këto lidhje krijuan vëllazëri, përfshirje, vlerësim të kulturës së tjetrit”.
Vlera e një buzëqeshjeje të vetme
Mirësia tregohet edhe me buzëqeshje. Ndaj Papa e përfundoi takimin e së mërkurës, duke i ftuar të gjithë të pyesin veten: “A e kemi brenda vetes gëzimin e krishterë, që nuk është gëzim i thjeshtë, por bamirësi e zemrës? E, a ua çojmë dhe të tjerëve?”.