Kërko

Pas bombardimit të spitalit Ahli Arab në Gazë Pas bombardimit të spitalit Ahli Arab në Gazë

Gaza, Papa: të shmanget katastrofa humanitare. Më 27 tetor, ditë lutjeje për paqen

Në fund të audiencës së përgjithshme, Papa foli për ngjarjet në Palestinë dhe Izrael, duke i ftuar besimtarët e çdo feje në një ditë agjërimi dhe pendese: lufta e zhduk të ardhmen, të heshtin armët, të dëgjohet britma për paqen e të varfërve, e njerëzve, e fëmijëve. Afërsi edhe me Ukrainën “për të cilën nuk flitet më”, por që vazhdon të përjetojë dramën e luftës

R.SH. – Vatikan

Ngjarjet në Tokën Shenjte dhe në vatrat e tjera të luftës në botë, e nxitën sot Papën Françesku, pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, të shpallë një ditë të re lutjeje, agjërimi e pendese për paqen. Ajo do të kremtohet më 27 tetor, ditë e premte. Ati i Shenjtë shprehu shqetësimin e vet me fjalët:

Viktimat shtohen dhe gjendja në Gazë është e dëshpëruar, ju lutem, të bëhet ç’është e mundur për të shmangur katastrofën humanitare”.

Papa ka frikë nga një zgjerim i mundshëm i konfliktit, duke pasur parasysh se në botë, mbeten të hapura edhe shumë fronte të tjera lufte. Për këtë, bëri edhe një herë thirrje:

“Të heshtin armët, të dëgjohet britma për paqe e të varfërve, e njerëzve, e fëmijëve. Lufta nuk zgjidh asnjë problem, ajo vetëm mbjell vdekje dhe shkatërrim. Shton urrejtjen, shumon hakmarrjen. Lufta e zhduk të ardhmen”.

“Ju lutem, vëllezër dhe motra”, përsëriti Ati i Shenjtë, “të vazhdojmë të lutemi për paqen në botë, veçanërisht për Ukrainën e martirizuar”, për të cilën nuk flitet më, por ku “drama vazhdon”.

Të marrim anën e paqes

Françesku u kërkoi besimtarëve “të marrin vetëm një anë në këtë konflikt: anën e paqes”, me lutje dhe përkushtim të plotë. Për këtë arsye, ai vendosi të kremtohet një ditë tjetër lutjeje pas asaj të 17 tetorit, të premten e javës së ardhshme, në Shën Pjetër, në orën 18. Ati i Shenjtë ua drejtoi ftesën edhe “vëllezërve dhe motrave të emërtimeve të ndryshme të krishtera, atyre që u përkasin feve të tjera dhe atyre, që e kanë për zemër kauzën e paqes". Kërkesa për nisma të ngjashme u drejtohet edhe të gjitha Kishave të veçanta.

Kujtimi i Shën Gjon Palit II

45 vite pas zgjedhjes së Shën Gjon Palit II në fronin e Shën Pjetrit, kremtuar të hënën, Papa Françesku u kujtoi shtegtarëve polakë se "gjatë papnisë së tij jehoi me forcë thirrja për t'ia hapur dyert Krishtit. Kjo ka sjellë fryte si për kthesën personale të secilit, ashtu edhe për ndryshimet shoqërore në shumë vende, që deri atëherë, ishin të mbyllura për Krishtin".

18 tetor 2023, 12:25