Françesku: mos spekuloni kurrë me ujin, duhet planifikuar administrimi i mirë i tij
R.SH. – Vatikan
Të bashkojmë forcat e të gjejmë ide të reja që uji të bëhet trashëgimi e të gjithëve dhe të administrohet si duhet, në mënyrë racionale: këtë u kërkon Papa Françesku organizatave ndërkombëtare, qeverive, shoqërisë civile, bizneseve, institucioneve akademike dhe kërkimore, në mesazhin drejtuar drejtorit të përgjithshëm të FAO-s, Qu Dongyu, me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, që kremtohet sot. Këtë vit, tema e saj nënvizon se “Uji është jetë, uji është ushqim. Të mos lihet askush mbrapa”. Për Atin e Shenjtë, kjo temë thekson "vlerën e pazëvendësueshme" të ujit si burim jetësor për të gjitha qeniet e gjalla në Tokë, prandaj, Papa kërkon administrimin e urtë, të kujdesshëm dhe të qëndrueshëm të tij, që "të gjithë ta përdorin për nevojat e tyre thelbësore”, për të promovuar një zhvillim njerëzor, “pa përjashtuar askënd”.
Burimet bazë, të përdorshme nga të gjithë
Janë të shumtë “vëllezërit”, që jetojnë në varfëri, thekson Papa, dhe “klithma e ankthit dhe e dëshpërimit të të varfërve” duhet të na “e prekë ndërgjegjen”. “Uria dhe ushqimi i keq, që godasin shumë njerëz janë rezultat i grumbullimit të padrejtësive dhe pabarazive”, shkruan Françesku, i cili denoncon faktin se miliona vetë nuk janë në gjendje të kenë as minimumin e domosdoshëm, por, nga ana tjetër, një pakicë e popullsisë botërore jeton në begati. Papa kërkon të investohet më shumë në infrastrukturat, që u sjellin të gjithëve ujë të pijshëm, një nga arsyet e sëmundjeve e të mungesës së ushqimit të mjaftueshëm. Është e drejtë themelore elementare, sepse siguron mbijetesën, nënvizon Françesku.
Shkenca dhe teknologjia duhet të ndihmojnë
Duke përmendur enciklikën “Laudato si’”, Ati i Shenjtë kërkoi edhe “zhvillimin e modeleve edukative dhe kulturore, që e ndërgjegjësojnë shoqërinë në mënyrë që kjo pasuri parësore të respektohet dhe të ruhet”, sepse “uji nuk duhet konceptuar kurrë si mall i thjeshtë, si produkt shkëmbimi apo si lëndë spekulimi”.
“Uji është ushqim, sepse është thelbësor për të arritur sigurinë ushqimore” vëren Papa më pas, duke vënë në dukje se ai është edhe “një komponent i domosdoshëm për bujqësinë”. Ati i Shenjtë kërkon “programe të frytshme, që shmangin rrjedhjet në tubacionet e ujitjes për bujqësinë; përdorimin e pesticideve dhe të plehrave organike dhe inorganike, që nuk e ndotin ujin; masa që mbrojnë burimet ujore” për të mos lejuar që mungesa e ujit të bëhet shkak për konflikte. Shkenca dhe teknologjia duhet të ndihmojnë në këtë drejtim, për të kontrolluar konsumin dhe për të shmangur dëmet në ekosistemin e botës.
Papa kërkon solidaritet
Françesku bën thirrje për solidaritet dhe për t’i përdorur fondet ndërkombëtare në favor të shpërndarjes së barabartë të ujit, duke i larguar nga fusha e prodhimit të armëve dhe e tregtisë së tyre. “Kurrë më parë nuk ka qenë kaq urgjente të bëhemi promotorë të dialogut dhe arkitektë të paqes”, përfundon Papa, duke shtuar se për këtë arsye, “Kisha nuk lodhet kurrë së mbjelli ato vlera, që ndërtojnë një qytetërim në dashuri, respekt dhe ndihmë për njëri-tjetrin”, me vëmendje të veçantë ndaj të vuajturve, të uriturve dhe të eturve.