Françesku: fjala kyçe për fenomenin migrator është “afërsi”
R. SH. - Vatikan
Migrimi nuk është shtegtim i ëmbël, së bashku; shpesh është dramë. Dhe, me që gjithkush ka të drejtë të migrojë, aq më tepër e ka këtë të drejtë të qëndrojë në tokën e vet dhe të jetojë atje në mënyrë paqësore dhe dinjitoze. Megjithatë, të gjithë e kanë të qartë sot tragjedinë e migrimeve të shkaktuara me forcë nga luftërat, uria, varfëria dhe problemet ambientale.
Françesku, duke folur edhe një herë për fenomenin migrator, ua drejtoi këto fjalë rregulltarëve dhe rregulltareve të Giovanni Battista Scalabrinit, “misionarë për emigrantët”. Ipeshkvi i Piacenzës, që jetoi ndërmjet shekujve XIX-XX, i mësoi njerëzit e shuguruar të kongregatave, që i themeloi, të kujdeseshin për ata që braktisin atdheun e tyre në kërkim të një ardhmërie më të mirë, duke e konsideruar veten "vëllezër dhe motra në rrugën drejt unitetit". E atëhere, çfarë mund të mësojmë nga kjo?
“Skalabrini na ndihmon, pikërisht duke i parë misionarët emigrantë si bashkëpunëtorë të Shpirtit Shenjt për unitetin. Vizion i ndritur ky, edhe origjinal, i fenomenit migrator, i parë si thirrje për të krijuar bashkim në bamirësi”.
Kisha është shtëpia e të gjithë popujve
Pikërisht kur takoi vështrimet e shumë emigrantëve italianë që niseshin për në Amerikë, Skalabrini ndjeu thirrjen "për t'i ndihmuar materialisht dhe shpirtërisht këta njerëz, në mënyrë që asnjëri prej tyre, i lënë në mëshirën e vetvetes, të mos humbiste, duke humbur kështu, edhe fenë". Gjatë shekujve, në "kuaj, karroca, mushka, dromedarë, të cilave sot mund t'u shtojmë varkat, kamionët dhe karrocat e detit", destinacioni i mijëra burrave, grave dhe fëmijëve "mbetet i njëjtë", vërejti Papa. Dhe është "Jerusalemi, qyteti i paqes, Kisha, shtëpia e të gjithë popujve, ku jeta e të gjithëve është e shenjtë dhe e çmuar", ajo Kishë, katolike e prandaj edhe universale, të cilën Scalabrini e pa si një "qytet të hapur për këdo që kërkon një shtëpi" e si strehë e sigurt”:
“Dhe këtu është thirrja e parë për ne, për të kultivuar zemra të pasura me katolicitet, domethënë, të dëshirueme për universalitet dhe unitet, për takim dhe përbashkim. E është edhe ftesa për të përhapur mendësinë e afërsisë, të ‘afërsisë’: kjo fjalë kyçe... është stili i Zotit, i cili bëhet gjithmonë i afërt - një pëshpirtëri, një mendësi kujdesi dhe mikpritjeje, që të rritet në botë, sipas fjalëve të Shën Palit VI, "qytetërimi i dashurisë". Megjithatë, do të ishte utopike të pretendohej se e gjithë kjo mund të arrihet vetëm me forcat njerëzore”.
Duhet vepruar në histori, të udhëhequr nga Zoti
Për Françeskun, ndjehet nevoja për të "bashkëpunuar në veprimin e Shpirtit" dhe " për të vepruar në histori nën drejtimin dhe me energjinë që vjen nga vetë Zoti", prandaj "duhet ta lëshojmë gjithë veteveten në dorë të Tij e në butësinë e Tij pa fund, për të ndjerë dhe për të vepruar sipas rrugëve të tij, të cilat nuk janë gjithmonë tonat”. Duhet njohur Zoti “në të huajt”, duke kujtuar se Testamendi i Vjetër na thërret të kujdesemi për të vejushën, jetimin dhe të huajin - shton Papa - dhe ta gjejmë te Zoti “forcën për të dashur falas, pa kërkuar asgjë”:
“E këtu është thirrja e dytë, që na drejton ipeshkvi shenjt i Piaçenzës, kur ngulmon në nevojën që misionari të ketë marrëdhënie dashurie me Jezusin, Birin e Hyjit të Mishëruar dhe ta kultivojë këtë veçanërisht nëpërmjet Eukaristisë, të kremtuar dhe të adhuruar. E nënvizoj këtë fjalë ‘të adhuruar’. Mendoj se e kemi humbur ndjenjën e adhurimit. E kemi lutje për të bërë diçka ose… lutje të bukura, por… në heshtje, adhurim. Mendësia moderne na e ka hequr pak këtë ndjenjë adhurimi. Duhet rimarrë, ju lutem, duhet rikthyer!”.
Nuk ka mision, pa lutje
Skalabrini, i cili kurrë nuk e la pas dore adhurimin eukaristik, "megjithë lodhjen, pasojë e ritmeve të tij rraskapitëse të punës", na mëson se "pa lutje, nuk ka mision" - shpjegoi Papa - i cili i ftoi misionarët e Shën Karl Borromeos ta ripërtërijnë "angazhimin e tyre për migrantët dhe për ta rrënjosur gjithnjë e më shumë në një jetë shpirtërore intensive”. Së fundi, Françesku "i falënderoi shumë të gjithë skalabrianët për punën e tyre në mbarë botën, punë të cilën e pa dhe e ndoqi, "që nga koha kur ishte në Buenos Ajres". Punë e bërë “shumë mirë”, në gjurmët e së cilës – ftoi Papa – duhet ecur përpara.