Dita kundër dënimit me vdekje, Papa: nuk mund të përdoret si drejtësi shtetërore
R.SH. – Vatikan
"E drejta për jetën kërcënohet aty ku zbatohet dënimi me vdekje. Dënimi me vdekje nuk mund të përdoret për një drejtësi të supozuar shtetërore, pasi nuk është parandalues, nuk vendos drejtësinë për viktimat dhe nxit hakmarrjen #EndDeathPenalty". Kështu shkruan Papa në faqen e tij @Pontifex në rrjetin social X, me rastin e Ditës XXI Botërore kundër dënimit me vdekje.
Të dhënat e mbledhura në vitin 2022 dëshmojnë për një prirje dramatike: përballë uljes së numrit të vendeve, që ende zbatojnë dënimin me vdekje, shtohet numri i ekzekutimeve. Krahasuar me një vit më parë, rritja është 53% e ka të bëjë sidomos me dënimet për drogë. Amnesty International shpjegon se disa vende, si Irani dhe Arabia Saudite, e kanë përdorur prej kohësh dhe masivisht dënimin me vdekje për krimet e lidhura me drogën, por tani edhe vende të tjera, si Singapori, po e ndjekin këtë shembull të keq. Në vendin e Azisë Juglindore janë regjistruar mbi 10 ekzekutime gjatë 12 muajve të fundit. Tema e dënimit me vdekje, që lidhet me krimet e drogës, denoncon Amnesty International, ka disa çështje kritike, pasi mungon ligji ndërkombëtar, që, sidomos në praktikë, është krejtësisht i pafrytshëm: nuk mund të konsiderohet si politikë serioze për të luftuar trafikun e drogës dhe aq më pak përdorimin e saj.