Kërko

Papa në Mongoli: kalofshin retë e luftës, të punojmë për një të ardhme paqeje

Fjalimi i parë publik i Françeskut në Ulaanbaatar gjatë takimit me autoritetet dhe trupin diplomatik të Mongolisë, në Pallatin e Shtetit, i paraprirë nga ceremonia e mirëseardhjes te përmendorja e Genghis Khan. Papa, duke kujtuar Pax Mongolica, e nxiti vendin aziatik të luajë "një rol të rëndësishëm" për stabilitetin në botë, pastaj vlerësoi kujdesin e Mongolisë për mjedisin dhe vendosmërinë për parandalimin bërthamor. Së fundi, Ati i Shenjtë u kërkoi feve të ndërmarrin veprime kundër korrupsion

R.SH. - Vatikan

Tiparet më të bukura të Mongolisë – nga ekologjia tek bashkëjetesa paqësore, nga ndjenjat fetare në kontributin e të gjithëve në shoqëri, përfshirë katolikët – në fjalimin e parë të Françeskut, gjatë udhëtimit të tij të 43-të apostolik. Takimi me autoritetet në Ulan Bator, pas atij me presidentin e vendit.

Në njërën nga sallat më prestigjoze të Pallatit të Qeverisë, ose të Shtetit, aty ku dikur ngrihej tempulli fetar Ikh Khüree, i famshëm për edukimin murgar të nivelit të lartë, krejtësisht i shkatërruar nga regjimi komunist në vitet ’30, Papa Françesku, në ditën e parë të veprimtarive të tij në Mongoli, u takua me autoritetet politike e fetare, në praninë edhe të përfaqësuesve të Trupit Diplomatik, të shoqërisë civile e të sipërmarrësve.

I pritur zyrtarisht nga presidenti 55-vjeçar i Republikës mongole, Ukhnaagiin Khürelsükh, në këtë udhëtim të 43-të apostolik, Ati i Shenjtë foli para rreth 700 vetëve, të mbledhur në Sallën Ikh Mongol, duke u thënë se ka shkuar në atë vend aziatik si “shtegtar i miqësisë”, me dëshirën për t’u pasuruar nga prania e tyre. I gjithë fjalimi i Papës u përshkua nga simbolika e ger-it, shtëpisë tipike mongole në formë çadre, ndërtuar me dru dhe shajak, për t’u paketuar e për t’u rindërtuar lehtë gjatë zhvendosjeve të zakonshme të këtij populli nomad, i cili, siç tha Françesku, ia njeh “vlerën ecjes”.

30-vjetori i letrës për forcimin e marrëdhënieve

Papa kujtoi se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mongolisë janë lidhur 31 vite më parë, por sivjet kremtohet 30-vjetori i letrës për forcimin e tyre, si edhe 860-vjetori i lindjes së Xhengis Khanit, protagonistit të perandorisë më të madhe të historisë së njerëzimit, që konsiderohet nga mongolët si ati i kombit. Lidhjet e Mongolisë me Vatikanin datojnë shumë më parë e pikërisht, 777 vjet më parë, kur në periudhën ndërmjet fundit të gushtit e fillimit të shtatorit, fra Gjoni i Pian del Carpine, i dërguar papnor, shkoi për vizitë tek Guyug, perandori i tretë mongol, duke i paraqitur letrën zyrtare të Papës Inoçenci IV. E, kopjen e saktë të kësaj letre, punuar me teknikat më të përparuara për të garantuar cilësinë më të mirë të mundshme, ua dhuroi sot Françesku mongolëve. Origjinali ruhet në Bibliotekën e Vatikanit.

Mongolia, shembull ekologjie

Me fjalë poetike, Ati i Shenjtë përshkroi mendësinë me frymëzim global të mongolëve, që janë mësuar të kundrojnë horizonte të largëta nga porta e Ger-it tradicional, në territorin e tyre të gjerë, përshkuar nga përrenj e lumenj të panumërt, që duken “si dekorime të rafinuara në pëlhura të çmuara e të lashta”, vërejti Papa, duke pasur parasysh edhe pasurinë e veshjeve të mongolëve, qëndisur me ar, argjend e perla.

“Urtia juaj, sedimentuar në brezni të tëra barinjsh e bujqërish të kujdesshëm për të mos e prishur ekuilibrin delikat të ekosistemit, ka shumë për t'u mësuar atyre që sot nuk duan të mbyllen në kërkimin e ndonjë interesi të veçantë dritëshkurtër, por duan t’u lënë pasardhësve një tokë ende mikpritëse dhe të frytshme. Atë që për ne të krishterët është Krijimi, pra, fryt i planit dashamirës të Zotit, ju na ndihmoni ta njohim dhe ta promovojmë me delikatesë dhe vëmendje, duke iu kundërvënë pasojave të shkatërrimit njerëzor me kulturën e kujdesit e të largpamësisë, e cila pasqyrohet në politikat e përgjegjshme ekologjike”.

Mungesa e konflikteve

E sërish, simboli i ger-it. Papa nënvizoi se shtëpitë tradicionale të mongolëve, jo vetëm janë ekologjike, por dëshmojnë edhe lidhjen më të mirë ndërmjet traditës dhe modernes. Mongolia e sotme i ka ruajtur rrënjët e veta, por ka krijuar edhe një rrjet të tërë marrëdhëniesh të reja diplomatike, duke u impenjuar aktivisht në gjirin e Kombeve të Bashkuara. Françesku përmendi faktin se vendi ka zgjedhur të mos ketë armë bërthamore, të zbatojë një politikë të jashtme paqësore, duke u impenjuar për paqen botërore, si edhe ta heqë dënimin me vdekje nga sistemi gjyqësor.

Ati i Shenjtë iu referua së ashtuquajturës “pax mongolica”, e cila, pavarësisht se u vendos me teh të shpatës gjatë perandorisë mongole, pati edhe rezultate pozitive si mungesa e konflikteve, siguria në gjithë shtrirjen e territorit dhe toleranca fetare, përveç zhvillimit ekonomik e kulturor. Duke nënvizuar se në botën e sotme, të përshkuar nga luftërat, një paqe e tillë është për t’u uruar “në respektin e ligjeve ndërkombëtare”, Papa u lut:

“Siç thotë një fjalë e urtë e juaja, ‘retë kalojnë, qielli mbetet’: kalofshin retë e errëta të luftës, u zhdukshin nga vullneti i vendosur për vëllazërim universal, ku tensionet të zgjidhen mbi bazën e takimit dhe të dialogut e, të gjithëve iu garantofshin të drejtat themelore! Këtu, në vendin tuaj, të pasur me histori dhe me qiell, ta kërkojmë këtë dhuratë nga i Tejetlarti dhe të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme në paqe”.

Feja, vetëdija për praninë hyjnore, larg krimbit të korrupsionit

Kujtojmë se mongolët e quajnë poetikisht vendin e tyre Toka e Qiellit të Kaltërt të Përjetshëm, nga emri i zotit më të rëndësishëm të fesë tradicionale shamaniste. Ati i Shenjtë vuri në dukje se pikërisht nga vrima e ger-it, në kulmin e çadrës që u shërben si shtëpi, mongolët janë mësuar t’i mbajnë sytë të lartuar drejt qiellit.

Mongolia është simbol i lirisë fetare, i vetëdijes për praninë hyjnore dhe i distancimit nga gjërat e kësaj bote, të cilave u jepet rëndësia e duhur, pa ekzagjerime, në ndryshim nga mendësia konsumiste dhe individualiste. Edhe fetë, nënvizoi Papa, kur mbështeten mbi këtë trashëgimi shpirtërore dhe nuk korruptohen nga devijimet sektare, janë bazë e besueshme për ndërtimin e shoqërive të shëndosha dhe të begata, ku besimtarët kontribuojnë në të mirën e përbashkët, duke penguar edhe avancimin e krimbit të rrezikshëm të korrupsionit.

“Pasi u kapërcye pa gjakderdhje ideologjia ateiste, që besonte se duhej çrrënjosur ndjenja fetare, duke e konsideruar si frenim për zhvillimin, ju e njihni sot atë vlerë themelore të harmonisë e të sinergjisë ndërmjet besimtarëve me fe të ndryshme, të cilët - secili nga këndvështrimi i vet – kontribuojnë në përparimin moral dhe shpirtëror të popujve”.

Marrëveshja dypalëshe ndërmjet Mongolisë dhe Selisë së Shenjtë

Papa vuri në dukje kontributin e bashkësisë së vogël katolike në shoqërinë mongole, në të gjitha fushat, në solidaritet me më të varfrit. Për këtë, theksoi Françesku:

“…negociatat e vazhdueshme për një marrëveshje dypalëshe ndërmjet Mongolisë dhe Selisë së Shenjtë përfaqësojnë një shteg të rëndësishëm për arritjen e kushteve themelore në kryerjen e veprimtarive të zakonshme, në të cilat impenjohet Kisha Katolike. Ndër to, përveç përmasës fetare të kultit, spikasin nismat e shumta për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, sidomos në sektorët e arsimit, të shëndetësisë, të ndihmës, të kërkimit shkencor dhe të promovimit kulturor”.

 Jam i sigurt, përfundoi Papa, duke përmendur moton e këtij udhëtimi “Të shpresojmë së bashku”, se katolikët mongolë janë në gjendje të kontribuojnë nga shkenca tek letërsia, nga arti tek politika, për ndërtimin e një shoqërie të begatë e të sigurt, në dialog e në bashkëpunim me të gjitha grupet, që banojnë “këtë tokë të puthur nga qielli”. Bayarlalaa! (faleminderit) iu drejtua Françesku të pranishmëve, në gjuhën e vendit.

02 shtator 2023, 06:57