Papa: Zoja e Dhimbshme na ndihmon të kundrojmë Jezusin
R.SH. - Vatikan
Kisha na fton sot, 15 shtator, të kundrojmë Zojën e Dhimbshme, në këmbët e kryqit të Jezu Krishtit, në ditën e solemnitetit të saj liturgjik. Në të kremten e Zojës së Dhimbshme po propozojmë disa reflektime të Papës Françesku.
“Nga Maria Virgjër e dhimbshme mësojmë se nëse qëndrojmë në marrëdhënien me Zotin, jeta nuk na kursen vuajtjet, por hapet drejt një horizonti të madh të së mirës dhe shkon udhës drejt realizimit përfundimtar ”. Kështu pohon Papa, në festën e Zojës së Dhimbshme, sot më 15 shtator në faqen @Pontifex
"Zoja e Dhimbshme na ndihmon të kundrojmë Jezusin. Të kundrojmë Nënën e Jezusit, ta kundrojmë këtë shenjë kontradiktore, sepse Jezusi është fitimtar, por mbi Kryq, mbi Kryq. Është kontradiktë kjo, nuk kuptohet… Duhet fe për ta kuptuar, së paku, për t’iu afruar këtij misteri”, pati thënë Papa në homelinë e Meshës kremtuar më 15 shtator 2017 në kapelën e Shën Martës, në Vatikan.
Shën Maria, vuri në dukje Papa, e dinte dhe “jetoi me shpirtin të shporuar”. Ndiqte Jezusin dhe dëgjonte komentet e njerëzve, herë në favor e herë kundër Tij, por rrinte gjithnjë pas të Birit. Prandaj themi se ajo “është dishepullja e parë” e Krishtit, nënvizoi Ati i Shenjtë në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, e dyta pas pushimeve verore. Maria e mbante në zemër këtë “shenjë kontradikte”. E së fundi, i takoi të qëndrojë në heshtje, tek këmbët e Kryqit. Ndoshta, vërejti Papa Françesku, komentet e njerëzve e përvijonin si nënën e njërit prej tre keqbërësve, por ajo mbeti aty, pa u fshehur, për të Birin:
“Këto që po them tani janë pak fjalë për të ndihmuar në kundrimin e heshtur të këtij misteri. Në atë çast, Ajo na lindi të gjithëve: lindi Kishën. ‘Grua’ – i thotë i Biri – ‘ja bijtë e tu’. Nuk i thotë ‘nënë’, i thotë ‘grua’. Grua e fortë, e guximshme; grua, që ishte aty për të thënë: ‘Ky është im Bir: nuk e mohoj’”.
“Zoja e Dhimbshme, që derdhi lot me zemrën e shporuar nga vdekja e Jezusit, tani ka mëshirë për vuajtjen e të varfërve të kryqëzuar dhe të krijesave të kësaj bote, shfarosur nga pushteti njerwzor", kështu pati pohuar Papa Bergoglio në një tweet më 15 shtator 2020.
Liturgjia e Kishës pasi na tregoi Kryqin e Lumnueshëm të Jezu Krishtit, dje më 14 shtator, sot më 15 shtator na fton të shikojmë edhe Nënën e Jezusit, Virgjrën Mari te Kryqi, të butë e të përvujtë. Këtë theksoi Papa, gjatë Meshës së 15 shtatorit të vitit 2014, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, ditën kur Kisha katolike përkujton Zojën e Dhimbshme. Në Letrën drejtuar Hebrenjve nënvizohen tri fjalë të forta. Thuhet se Jezusi “mësoi, dëgjoi, pësoi”. Është e kundërta e asaj, që i ndodhi atit tonë, Adamit. Ai nuk deshi ta nxërë mësimin, që i urdhëroi Hyji, nuk deshi të pësonte e as të bindej. Ndërsa Jezusi, edhe pse ishte Zot, u poshtërua, e uli veten duke u bërë shërbëtor. Kjo është lavdia e Kryqit të Krishtit: “Jezusi erdhi në botë, për të mësuar të ishte njeri, për të qenë njeri, duke ecur me njerëzit. Erdhi në botë për t’u bindur, e u bind. Por bindjen e mësoi nga vuajtja. Adami doli nga Parajsa me një premtim, që shkoi përpara në shekuj. Sot, me këtë bindje, me këtë vetasgjësim, me këtë poshtërim të Jezusit, premtimi u bë shpresë. E populli i Hyjit ecën me shpresë të sigurt. Edhe Nëna, ‘Eva e re’ , si e quan vetë Pali, mori pjesë në udhën e Birit: mësoi, vuajti e dëgjoi. E u bë Nënë!”.
Ungjilli i festës së sotme na e paraqet Marinë tek këmbët e Kryqit. E Jezusi i thotë Gjonit; “Ja, Nëna jote!”. Maria, pohoi Papa, është Nënë: “E kjo është edhe shpresa jonë. Ne nuk jemi jetimë, kemi Nëna: Nënën Mari. Por edhe Kisha është Nënë e edhe Kisha vajohet Nënë, kur bën të njëjtën udhë, që bënë Jezusi e Maria: udhën e bindjes, udhën e vuajtjes, e kur mëson vazhdimisht të ecë në gjurmët e Zotit. Këto dy gra - Maria e Kisha – e çojnë përpara shpresën e Krishtit, na japin Krishtin, e lindin Krishtin në shpirtin tonë. Pa Marinë nuk do të ishte Jezu Krishti; pa Kishën, nuk mund të shkojmë përpara”.
Dy gra e dy Nëna, vijoi Papa Bergoglio gjatë Meshës së mëngjesit të 15 shtatorit të vitit 2014, e pranë tyre, shpirti ynë që, siç thoshte murgu Isak, abati i Stelës, është “femëror”, i ngjet Marisë e Kishës: “Sot, duke e parë pranë Kryqit këtë grua, tejet të vendosur për ta ndjekur të Birin në vuajtje, për të mësuar bindjen, duke e parë, pra, shikojmë Kishën e shikojmë Nënën tonë. Shikojmë edhe shpirtin tonë të vogël, që nuk do të humbasë kurrë, nëse do të vijojë të jetë edhe grua, pranë këtyre dy grave të mëdha, që na shoqërojnë në jetë; Maria e Kisha. E ashtu si etërit tanë dolën nga Parajsa me një premtim, sot ne mund të shkojmë përpara me një shpresë; shpresën që na e jep Nëna jonë Maria, e ngulur tek Këmbët e Kryqit, e Nëna jonë, Kisha hierarkike”.
Në Meshën e 15 shtatorit 2017, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës në Vatikan, Papa Françesku na ftonte të kundronim Zojën e Dhimbshme, te këmbët e kryqit të Krishtit, në ditën e solemnitetit të saj liturgjik: “Të kundrojmë Nënën e Jezusit, ta kundrojmë këtë shenjë kontradiktore, sepse Jezusi është fitimtar, por mbi Kryq, mbi Kryq. Është kontradiktë kjo, nuk kuptohet… Duhet fe për ta kuptuar, së paku, për t’iu afruar këtij misteri”.
Shën Maria, kujtoi Papa, e dinte dhe “jetoi me shpirtin të shporuar”. Ndiqte Jezusin dhe dëgjonte komentet e njerëzve, herë në favor e herë kundër Tij, por rrinte gjithnjë pas të Birit. Prandaj themi se ajo “është dishepullja e parë” e Krishtit, nënvizoi Ati i Shenjtë në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, e dyta pas pushimeve verore. Maria e mbante në zemër këtë “shenjë kontradikte”. E së fundi, i takoi të qëndrojë në heshtje, tek këmbët e Kryqit. Ndoshta, vërejti Papa Françesku, komentet e njerëzve e përvijonin si nënën e njërit prej tre keqbërësve, por ajo mbeti aty, pa u fshehur, për të Birin: “Këto që po them tani janë pak fjalë për të ndihmuar në kundrimin e heshtur të këtij misteri. Në atë çast, Ajo na lindi të gjithëve: lindi Kishën. ‘Grua’ – i thotë i Biri – ‘ja bijtë e tu’. Nuk i thotë ‘nënë’, i thotë ‘grua’. Grua e fortë, e guximshme; grua, që ishte aty për të thënë: ‘Ky është im Bir: nuk e mohoj’”. Prandaj, përfundoi Papa Françesku, nuk duhet reflektuar për Ungjillin e sotëm; ai duhet kundruar. “Shpirti Shenjt i tregoftë secilit prej nesh për çfarë kemi nevojë”, u lut Ati i Shenjtë Bergoglio.