Papa, të bashkuar në afërsi dhe lutje tona për Ukrainën
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku kërkon lutje për këtë tokë të cilën, me një epitet tashmë të mirënjohur, e quan "Ukraina e martirizuar". Kështu, as në audiencën e sotme të përgjithshme nuk mungoi lutja e Papës për Ukrainën, gati 19 muaj pas fillimit të luftës:
“Të jemi të bashkuar me afërsinë dhe lutjen tonë për Ukrainën e dashur e të torturuar”, janë fjalët e Atit të Shenjtë Françesku në përshëndetjen që u drejtoi sot besimtarëve italishtfolës të pranishëm në audiencën e përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan.
“Të lutemi që Zoti t’i kthejë zemrat e atyre, të cilët e duan luftën dhe të bëjë që për Ukrainën e torturuar të mbizotërojë dëshira për paqe, për të shmangur çdo shkallëzim dhe për të hapur rrugën e armëpushimit dhe dialogut”, pati kërkuar Papa në përfundim të audiencës së përgjithshme së 16 nëntorit 2022.