Papa: të përvetësojmë fjalorin e paqes, të mos mësohemi me luftën
R.SH. – Vatikan
Paqja, bota dixhitale, ekologjia e gjithanshme: këto janë tri fushat në të cilat Papa Françesku sheh sfida për alfabetizimin në botën e sotme. Sot, 8 shtator, kremtohet pikërisht Dita Ndërkombëtare kushtuar Alfabetizimit, themeluar nga UNESCO. Ati i Shenjtë i dërgon drejtoreshës së përgjithshme të organizmit të OKB-së, me bazë në Paris, Audrey Azoulay, një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.
Ende alarmuese, vlerësimet për numrin e “analfabetëve”
Papa e vlerëson temën e Ditës Botërore të këtij viti: "Promovimi i alfabetizimit për një botë në tranzicion: ndërtimi i themeleve të një ekonomie të qëndrueshme dhe paqësore". E bën këtë, duke pasur parasysh rolin e arsimit për integrimin harmonik të njeriut “në bashkësi dhe për pjesëmarrjen e tij aktive e të frytshme në përparimin e shoqërisë”. Papa denoncon se, sipas vlerësimeve, numri i analfabetëve është ende shumë i lartë, madje “alarmues” e “kjo është pengesë në zhvillimin e plotë të potencialit të tyre".
Të mësojmë fjalorin e paqes
"Në një botë të përçarë nga konfliktet dhe tensionet, është themelore të mos mësohemi me fjalorin e luftës dhe të mosmarrëveshjes", nënvizon Bergoglio. “Ndërsa njeriu mëson të lëndojë me armë gjithnjë e më mizore, - shkruan Papa në mesazh - mund edhe të heqë dorë nga një gjë e tillë. Ashtu siç mund të lëndohet një person, një i afërm, një mik me fjalë të ashpra dhe gjeste hakmarrëse, ashtu mund edhe të hiqet dorë, duke mos e bërë këtë". Ati i Shenjtë ngul këmbë në rëndësinë e "mësimit të fjalorit të paqes", sepse, vëren ai, "kjo do të thotë t’ia kthejmë vlerën dialogut, praktikimit të mirësisë dhe të respektit për të tjerët". Françesku përmend enciklikën “Fratelli tutti”, ku saktësohet se kjo përpjekje e shndërron thellësisht mënyrën e jetesës, marrëdhëniet shoqërore, debatin dhe konfrontimin e ideve. Prandaj, Papa nxit të investohet më shumë në fushat e edukimit, të komunikimit, të shkencës dhe kulturës: të vetmet "armë" të ligjshme dhe të frytshme për të ndërtuar një të ardhme në shpresë.
Ende i madh, hendeku dixhital
Françesku vë në dukje se miliona njerëz privohen nga teknologjitë e informacionit dhe të komunikimit. Denoncon se në të ashtuquajturat “autostrada dixhitale”, "shumë lëndohen nga përçarjet dhe urrejtja. Kësaj i shtohet – lexohet në tekst - rreziku serioz për t'ia dorëzuar jetën njerëzore logjikës së pajisjeve, që vendosin për vlerën e saj". Papa shkruan se për të parandaluar keqpërdorimin e teknologjisë, e cila del jashtë kontrollit e madje, e dëmton njeriun, nevojiten politika dhe ligje, që synojnë të inkurajojnë përvetësimin e aftësive dixhitale, pa harruar reflektimin më të gjerë etik mbi përdorimin e algoritmeve.
Alfabetizimi për ekologjinë e gjithanshme
Sfida e fundit, në të cilën ndalet Papa, lidhet me rolin, që mund dhe duhet të ketë arsimimi, me shpresën se alfabetizimi i njerëzve i bën ata më të vetëdijshëm për nevojën e ekologjisë së gjithanshme. Ati i Shenjtë fton "të promovohet me durim dhe këmbëngulje mësimi i sjelljeve më të matura dhe më solidare, të cilat, përveçse kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në kujdesin për të tjerët e për Krijimin, mund të frymëzojnë politika aftagjata dhe ekonomi vërtet të qëndrueshme për cilësinë e jetës, në dobi të gjithë popujve të tokës dhe sidomos, – përfundon Papa – në dobi të atyre, që gjenden në situata më të pafavorizuara dhe më në rrezik”.