Papa: të lutemi për të sëmurët me Alzheimer dhe për familjet e tyre
R.SH. – Vatikan
“Në Ditën ndërkombëtare të Alzheimer-it, të lutemi së bashku për të gjithë njerëzit, që vuajnë nga kjo sëmundje, për familjet e tyre dhe për personat, që kujdesen për ta”. Kështu shkruan Papa Françesku në një prostim në X, në faqen e tij @Pontifex.
Vitin e kaluar, pikërisht në këtë ditë, Ati i Shenjtë mbante audiencën e përgjithshme me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Duke folur për Alzheimer-in, Papa Françesku pati nënvizuar se ajo është sëmundje, “që prek shumë njerëz, të cilët, për shkak të kësaj patologjie, mënjanohen shpesh nga shoqëria. Të lutemi – pati kërkuar Bergoglio – që të sëmurët me Alzheimer, familjet e tyre dhe ata, që kujdesen për ta me dashuri, të mbështeten e të ndihmohen”.
Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 55 milionë njerëz në botë vuajnë nga demenca, pra, nga keqësimi gradual i funksioneve të trurit, duke filluar nga kujtesa. Kjo është një nga shkaqet kryesore të kufizimeve fizike tek të moshuarit. Në Evropë, 54% e të sëmurëve nga demenca vuajnë pikërisht nga Alzheimer, sidomos pas moshës 65 vjeçare. Kjo sëmundje prek më tepër gratë.