Kërko

Papa: “Të kumtosh Krishtin bashkon, nuk ndan”

Papa priti në audiencë Baselios Marthoma Mathews III, Catholicos i Kishës ortodokse siriako-malankareze, për herë të parë në Vatikan që nga zgjedhja e tij në 2021. Papa kujtoi marrëdhëniet reciproke, përgëzoi për punën e "ekumenizmit baritor", që u konkretizua në marrëveshje e vendime të përbashkëta dhe pjesëmarrjen e një delegati të kësaj Kishe në Sinodin që do të mbahet në Vatikan. ' Sinodaliteti dhe ekumenizmi që shkojnë së bashku drejt bashkimit'

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite në audiencë Shenjtërinë e Tij Baselios Marthoma Mathews III, Catholicos (Primat) i Kishës Ortodokse siriako-malankareze dhe delegacionin e tij, për herë të parë në Vatikan që nga zgjedhja e tij në 2021.

Në fjalën e tij Papa kujtoi zhvillimin e marrëdhënieve reciproke, përgëzoi për punën e "ekumenizmit baritor", që u konkretizua në marrëveshje e vendime të përbashkëta dhe për pjesëmarrjen e një delegati të kësaj Kishe siriako-malankareze në Sinodin e ardhshëm të Kishës katolike romake që do të mbahet në Vatikan: "Ne mund të mësojmë shumë nga përvoja sinodale e Kishës suaj", tha Papa, "tani duhet ti shërojmë plagët ndërmjet nesh si të krishterë, duke ecur përpara, së bashku, drejt bashkimit”

"Ndarjet që kanë ndodhur gjatë historisë ndërmjet ne të krishterëve janë plagë të dhimbshme të shkaktuara në Trupin e Krishtit që është Kisha. Ne ende po i përjetojmë pasojat", tha Papa e shtoi: nëse e vejmë dorën së bashku në këto plagë, nëse së bashku, si Toma Apostull, shpallim se Jezusi është Zoti dhe Hyji ynë, nëse me një zemër të përulur ia besojmë veten të mrekulluem hirit të tij, mund ta shpejtojmë Ditën e pritur, në të cilën me ndihmën e tij do të kremtojmë misterin e Pashkës në të njëjtin altar: ardhtë së shpejti ajo ditë!”, nënvizoi Françesku, duke inkuruar të shkohet përpara në udhën e unitetit ndërmjet të të krishterëve.

“Shpresoj që marrëveshjet baritore ndërmjet Kishave tona, të cilat ndajnë të njëjtën trashëgimi apostolike, të mund të zgjerohen dhe shtohen, veçanërisht në kontekste në të cilat besimtarët gjenden në situata minoritare apo diaspore”, tha Papa. “Në ecjen tonë drejt unitetit të plotë, një udhë tjetër e rëndësishme është ajo e sinodalitetit”, kujtoi më pas Françesku. "Në një farë kuptimi, lëvizja ekumenike kontribuon në procesin e vazhdueshëm sinodal të Kishës Katolike dhe shpresoj që procesi sinodal të. mund të kontribuojë nga ana tjetër në lëvizjen ekumenike.

Sinodaliteti dhe ekumenizmi janë në fakt dy rrugë që shkojnë së bashku, e kanë të përbashkët të njëjtin synim, atë të bashkimit, që do të thotë një dëshmi më të mirë të të krishterëve 'që bota të besojë'. Të mos harrojmë, tha Papa - dhe këtë ua them katolikëve - se protagonist i Sinodit është Shpirti Shenjt, nuk jemi ne". Ati i Shenjtë Bergoglio nxiti: "Të ecim së bashku në lutjen që na pastron, në bamirësinë që na bashkon, në dialogun që na afron" dhe nënvizoi se “shpallja e Krishtit bashkon, nuk përçan; shpallja e përbashkët e Zotit tonë ungjillëzon vetë udhëtimin ekumenik”.

11 shtator 2023, 13:11