Kërko

Papa përshëndet Mongolinë: “faleminderit për mikpritjen bujare”

Kur në trojet shqiptare ishte ora 6 e mëngjesit, avioni i Ita Airways me Papën dhe shoqëruesit e tij u ngrit nga aeroporti Xhingis Khan në Ulan Bator për t’u nisur drejt Romës. Mbërritja pritet rreth orës 17.30. Përfundon kështu shtegtimi i Françeskut në tokën mongole, gjatë të cilit u njoh me realitete të ndryshme të Kishës dhe të shoqërisë. Telegrami drejtuar presidentit Khürel Sükh Ukhnaa: "Ju siguroj lutjet e mia për paqen, unitetin dhe begatinë e kombit"

R.SH. – Vatikan

Përfundoi udhëtimi i 43-të apostolik i Papës Françesku, që e çoi nga 31 gushti deri më sot, 4 shtator, në Mongoli e pikërisht, në kryeqytetin e vendit, Ulan Bator. Ati i Shenjtë u nis me avion, së bashku me shoqëruesit dhe me rreth 70 gazetarë, në orën 12.03 (06.03 në trojet shqiptare), nga aeroporti ndërkombëtar Xhingis Khan. Pas rreth nëntë orë e gjysmë fluturimi, avioni do të ulet në aeroportin Leonardo da Vinci në Romë-Fiumicino rreth orës 17.30.

Ceremonia e lamtumirës

Si zakonisht, para nisjes, ceremonia e lamtumirës, pasi Papa u takua me vullnetarët e punonjësit e bamirësisë në Shtëpinë e Mëshirës. Në aeroport, Françesku u prit nga ministri i Punëve të Jashtme të Mongolisë, Batmunkh Battsetseg. Një vajzë i dha Atit të Shenjtë një buqetë me lule, të cilën – tha ai – do t’ia dhurojë Zojës së Bekuar, sapo të mbërrijë në Romë. Pasi i shtrëngoi dorën kardinalit Giorgio Marengo, prefekt apostolik i Ulan Batorit, i cili i qëndroi pranë gjatë gjithë vizitës, Papa Françesku hipi në aeroplan për t'u kthyer në Itali. Gjatë fluturimit do të zhvillohet konferenca tradicionale për shtyp me gazetarët.

Telegrami drejtuar presidentit

Menjëherë pas nisjes, Papa i dërgoi një telegram presidentit të Mongolisë, Khürel Sükh Ukhnaa, për t’i shprehur "edhe një herë mirënjohjen" ndaj autoriteteve dhe popullit mongol "për pritjen e ngrohtë dhe mikpritjen bujare” të këtyre ditëve. Më pas, Françesku përshëndet, duke siguruar "lutjet e vazhdueshme për paqen, unitetin dhe begatinë e kombit" e "duke i kërkuar Zotit bekime të shumta hyjnore" për të gjithë.

Udhëtim katër ditor

Përfundon kështu udhëtimi i parë apostolik i një Pape në Mongoli. Shtegtimi, veprimtaritë e të cilit filluan më 1 shtator, u karakterizua nga takimet e Atit të Shenjtë me autoritetet e vendit, me bashkësinë e vogël të krishterë në katedralen e Shën Pjetrit dhe të Shën Palit, me krerët fetarë vendas dhe me veprimtarët e "Shtëpisë së Mëshirës". Një përqafim global për një vend ndërmjet Rusisë dhe Kinës, i cili – siç tha vetë Papa në fjalimin e tij të parë para autoriteteve – mund të luajë një “rol” themelor në skenën ndërkombëtare,sidomos, për paqen globale.

04 shtator 2023, 07:40