Kërko

2023.08.31 Viaggio Apostolico in Mongolia, Papa Francesco in aereo 2023.08.31 Viaggio Apostolico in Mongolia, Papa Francesco in aereo

Papa gazetarëve: na bën mirë ta kuptojmë heshtjen e madhe të Mongolisë

Gjatë përshëndetjeve drejtuar punonjësve të informacionit, në bordin e avionit, Françesku foli për vendin aziatik, duke theksuar kulturën e tij "të heshtur". "Mongolia kuptohet me shqisat" pohoi, duke kujtuar muzikën e Borodin, të cilën e quajti "të aftë për të shprehur gjatësinë dhe madhështinë e Mongolisë". Duke komentuar, në një përgjigje që i jepte gazetarit të Ansa-s, aksidentin fatal në punë, në zonën e Torinos, Papa i quajti punëtorët “të shenjtë”.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku, pasi përshëndeti rreth shtatëdhjetë gazetarët, që e shoqëronin në shtegtimin drejt Mongolisë, i nxitur nga komenti i njërit prej tyre, kujtoi një nga veçoritë kryesore të popullit mongol, që do ta takonte së shpejti.

Mongolia kuptohet "me shqisa"

Papa e mori shtytjen nga dendësia e ultë e popullsisë në trojet e pafundme të këtij kombi:

“Të shkosh në Mongoli, do të thotë të shkosh tek një popull i vogël, që banon në një tokë të madhe. Mongolia duket e pafundme, ndërsa banorët janë të paktë,  popull i vogël, me numër të vogël, por me kulturë të madhe. Mendoj se do të na bëjë mirë ta kuptojmë këtë heshtje, kaq të gjatë, kaq të thellë. Do të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë do të thotë, jo me mend, por me shqisa”.

Kështu, thënë me dy fjalë, Papa përshkroi Mongolinë e vogël e të  madhe njëherësh, që do ta vizitojë së shpejti në këtë shtegtim të pazakontë.  Në vijim shpjegoi rishtas: "Mongolia mund të kuptohet vetëm me shqisat". Për të shtuar edhe një citim, nga kultura e tij e gjërë:

“Marr guximin të them se ndoshta do të ishte mirë të dëgjonim një pjesë të muzikës së Borodinit, e vetmja e aftë për të shprehur kuptimin e gjatësisë dhe të madhështisë së Mongolisë”.

Gjatë përshëndetjes së gazetarëve në shtegtim, Françeskut i treguan një pagure të shpuar: i përket një ushtari ukrainas që shpëtoi nga një shpërthim. E mora këtë objekt në një kishë të Lvivit, si simbol falenderimi për shpëtimin - kujtoi gazetarja Eva Fernandez, nga Radio Cope, duke treguar këtë histori. E mora përkohësisht me vete, për t'ia treguar Papës. Ky objekt, me shenjat e luftës të gdhendura në të, do të rikthehet në kishë, e bekuar nga Papa Françesku.

 Punëtorët janë të shenjtë

Më tej, gjatë shkëmbimit të përshëndetjeve, Françesku iu përgjigj edhe pyetjes së gazetarit të Ansa-s, Fausto Gasparroni, në lidhje me aksidentin e ndodhur rreth mesnatës në Brandizzo, në zonën e Torinos, ku mbetën të vdekur nën shinat e trenit pesë punëtorë. Papa e quajti “fatkeqësi” aksidentin në punë. E edhe padrejtësi. Që ndodh gjithnjë për mungesë kujdesi - pohoi - duke shtuar edhe se punëtorët janë të shenjtë.

01 shtator 2023, 10:40