Kërko

Papa takimit të Shën Egjidit në Berlin: të hapen rrugët e paqes, veçanërisht për Ukrainën

Mesazh i Papës Françesku, drejtuar krerëve fetarë nga e gjithë bota, mbledhur në Berlin për takimin vjetor të Bashkësisë së Shën Egjidit, kësaj radhe, me temë “Guximi i paqes”. “Duhet të ecim përpara për ta kapërcyer murin e së pamundurës, ngritur mbi arsyetime që duken si të pakundërshtueshme, mbi kujtimin e shumë dhimbjeve të kaluara dhe plagëve të thella, që kemi pësuar. Është e vështirë, por nuk është e pamundur”: kjo, thirrja e Atit të Shenjtë

R.SH. – Vatikan

 Për të arritur paqen, duhen shembur muret, me guxim, duke shkuar përtej strategjive e skemave të zakonshme. Kjo është ideja, që përshkon fjalën e Papës Françesku, drejtuar sot pasdite, krerëve fetarë nga e gjithë bota, mbledhur në Berlin për takimin vjetor të Bashkësisë së Shën Egjidit, kësaj radhe, me temë “Guximi i paqes”.

Në vend që të shemben mure, janë ngritur të tjerë

 Përfaqësuesit e feve të planetit i dëgjuan fjalët e Atit të Shenjtë para Portës së Brandeburgut, pas lutjes së të krishterëve, të hebrenjve, të myslimanëve, të budistëve e të krerëve të feve të Azisë, në vende të ndryshme të kryeqytetit gjerman. Mesazhi i Papës nis pikërisht duke kujtuar takimin e fundit të këtyre ditëve në Berlin, që filloi më 10 shtator e përfundoi sot (12 shtator), para Portës së Brandenburgut, vendit ku ra Muri famëkeq, që ndante më dysh Evropën me Perde të Hekurt. “Rënia e tij – nënvizon Françesku – që ndodhi për shumë arsye, me guximin e të gjithëve dhe me lutjen e shumë njerëzve, hapi perspektiva të reja: liri për popujt, bashkim për familjet, por edhe shpresë për një paqe të re botërore, pas Luftës së Ftohtë”.

Ati i Shenjtë denoncon se gjatë këtyre viteve “në vend që të shemben mure, janë ngritur të tjerë”, me luftërat, që përhapen në të katër anët e botës e, edhe në Evropë, me konfliktin në Ukrainë, që “ka shkaktuar të vdekur, të plagosur, dhimbje, eksode e shkatërrime”.

Nevojitet ‘guximi i paqes’

Papa kujton në mesazh takimin e vitit të kaluar në Koloseum të Romës, gjatë të cilit ai vetë kërkoi “paqen, në emër të vuajtjeve të pësuara”, duke kujtuar britmën e nënave, që shpreh dhimbjen dhe tmerrin e luftës, e cila është burimi i të gjitha varfërive. Para këtij skenari, vëren Françesku, nuk duhet të dorëzohemi, por të bëjmë më tepër.

“Nevojitet ‘guximi i paqes’, që është në qendër të takimit tuaj – u thotë ai përfaqësuesve të feve botërore. - Nuk mjafton realizmi, nuk mjaftojnë konsideratat politike, nuk mjaftojnë aspektet strategjike të zbatuara deri tani; duhet më shumë, sepse lufta vazhdon. Nevojitet guximi i paqes: tani, sepse shumë konflikte vazhdojnë prej kohësh, aq sa disa duket sikur nuk mbarojnë kurrë e, në një botë ku gjithçka ecën me shpejtësi, vetëm fundi i luftërave duket i ngadalshëm. Duhet guximi për ndryshimin e udhës, pavarësisht nga pengesat dhe vështirësitë objektive”.

Lutja për fundin e të gjitha luftërave

Duke vazhduar të denoncojë çmendurinë e luftës, Ati i Shenjtë u drejtohet fillimisht besimtarëve, të cilëve u kërkon të luten “për t’i kërkuar Qiellit atë, që duket e pamundur në tokë”. “Nuk duhet të kemi frikë të kthehemi në lypsarë të paqes”, thekson Papa, i cili i siguron të pranishmit së bashkohet me ta në lutjen për fundin e të gjitha luftërave, duke i falënderuar nga zemra për gjithçka bëjnë.

Më pas u drejtohet politikanëve, përgjegjësve të kombeve, diplomatëve. “Duhet të ecim përpara për ta kapërcyer murin e së pamundurës, ngritur mbi arsyetime që duken si të pakundërshtueshme, mbi kujtimin e shumë dhimbjeve të kaluara dhe plagëve të thella, që kemi pësuar. Është e vështirë, por nuk është e pamundur”, thekson Françesku, që, në përfundim, kërkon sërish “të hapen udhë paqeje për Ukrainën e dashur e të martirizuar”, me ndihmën e Zotit, të cilit i lutet “ta dëgjojë britmën plot ankth të bijve të vet”.

12 shtator 2023, 18:11