Papa Etërve rogacionistë: me lutje dhe bamirësi bëhemi dëshmitarë të Zotit
R.SH. – Vatikan
Pa jetë shpirtërore dhe pa lutje e pendesë "nuk mund të bëhet ‘asnjë’ punë vërtet e mirë", thoshte Shën Hanibali i Francës. Papa Françesku u kujtoi këtë pjesëmarrësve të takimeve të promovuara nga Etërit Rogacionistë të Zemrës së Jezusit dhe nga Bijat e Zellit Hyjnor, që i priti sot paradite në audiencë në Sallën e Koncistorit, në pallatin apostolik të Vatikanit.
Dy kongregatave të jetës rregulltare të themeluara nga prifti nga Messina, i cili bijve të tij shpirtërorë u kërkoi një "kusht të katërt të jetës rregulltare: Rogate, lutjen për thirrjet e shenjta", Ati i Shenjtë Françesku u nënvizoi rëndësinë e lutjes, fillin e kuq që përshkoi jetën e Hannibalit të Francës .
Kur jemi gati të qëndrojmë, me butësi, bindje dhe përvuajtje përpara Zotit, shpesh e kuptojmë më mirë jetën tonë: pikërisht në lutjen besnike dhe këmbëngulëse, veçanërisht në adhurimin e përditshëm, gjithçka fiton harmoninë, kuptohen më qartë objektivat, duke gjetur te Zoti forcën dhe dritën për t'i zbatuar ato sipas planeve të tij.
Kultivimi i lutjes së përditshme
Ishte pikërisht lutja, që frymëzoi vendimet e Hanibalit të Francës, theksoi Papa, i cili i nxiti të gjithë të kenë një bisedë të përditshme me Zotin.
Pa lutje nuk mund të rrish në këmbë dhe nuk di ku të shkosh. Është e rëndësishme, pra, që të ketë një dialog të gjatë me Zotin çdo ditë, dhe më pas, një lutje drejtuar Atij para çdo momenti të rëndësishëm, çdo takimi, çdo vendimi.
Dëshmitarë të Zotit
Papa Françesku kujtoi shembullin e Hanibalit të Francës, i cili, i frymëzuar nga ftesa e Jezusit për t'iu lutur Zotit "të dërgojë punëtorë në të korrat e tij", duke parë realitetin e kohës, kuptoi se duhej të lutej, "sigurisht, jo për ta bindur Zotin të dërgojë barinj, thua se Zoti nuk interesohet për popullin e tij, por për ta lënë veten të pushtohej gjithnjë e më shumë nga dashuria e tij atërore dhe amnore: për të mësuar, përmes lutjes, të jetë i ndjeshëm ndaj nevojave të bijve të tij". Dhe pikërisht nga lutja, e cila e gjallëroi gjithë "veprimtarinë apostolike dhe bamirëse" të tij, nënvizoi Papa, lindën fillimisht Bijat e Zellit Hyjnor dhe më pas Rogacionistët e Zemrës së Jezusit, të cilët Papa Pali VI i nxiti të ishin "specialistë të Zotit", si njerëz të adhurimit dhe të lutjes “për misionin më të lartë dhe më të bukur, për të merituar dhe për të përgatitur thirrjet e shenjta për Mbretërinë e Krishtit”. Këtu Françesku përsëriti ftesën e Papës Montini.
Bëhuni specialistë të Zotit, jo aq si studiues të teknikave, statistikave dhe teorive, ndonëse edhe këto mund të jenë të dobishme, por specialistë të asaj urtie që fitohet në radhë të parë përmes lutjes së pareshtur "në gjunjë" e pastaj përmes "duarve". Domethënë, jini specialistë në artet e lutjes dhe të bamirësisë: duar të bashkuara përpara Zotit dhe duar të shtrira drejt vëllezërve. Duar të bashkuara dhe duar të shtrira: ja si bëhemi specialistë të Zotit! Ky është misioni juaj.
Sot duhen dëshmitarë të besueshëm
Mendimet e Françeskut shkuan te të rinjtë e shumtë të sotëm, të cilët Zoti i thërret, por ata "kanë nevojë për dëshmitarë dhe udhërrëfyes të besueshëm", prandaj, u duhet dëshmuar "bukuria e një ekzistence, jetuar për dashuri", duke i ndihmuar t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes. Së fundi, Ati i Shenjtë i këshilloi kongregatat rregulltare të themeluara nga Shën Hanibali i Francës të vazhdojnë "të luten për thirrjet e shenjta".