Kërko

Papa lutet për tragjeditë në Libi dhe Marok

Në fund të audiencës së sotme të përgjithshme, Papa kujtoi viktimat e përmbytjeve të rënda dhe ata që u goditën nga tërmeti në dy vendet e Afrikës Veriore. Një lutje të veçantë edhe për paqen në botë e në veçanti për "Ukrainën e torturuar"

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku, pas katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, u lutë për viktimat e tragjedive të mëdha që kanë goditur ditët e fundit Libinë dhe Marokun, në Afrikën e Veriut. Në veçanti, Ati i Shenjtë kujtoi "popullatat e Libisë të goditura rëndë nga shirat e dhunshëm që shkaktuan përmbytje e vdekje, lëndime të shumta dhe dëme të mëdha".

Papa bëri thirrje të bashkohemi në lutje për ata që kanë humbur jetën, për familjet e tyre dhe për të zhvendosurit. “Të mos mungojë solidariteti jonë – shtoi Ati i Shenjtë – ndaj këtyre vëllezërve dhe motrave që janë sprovuar kaq shumë nga kjo fatkeqësi”.

Lutja për viktimat e tërmetit të popullit maroken

Më pas Papa kujtoi edhe "popullin fisnik maroken", të goditur nga tërmeti i 8 shtatorit. “Të lutemi për Marokun, të lutemi për banorët. Zoti i dhashtë forcë të rifillojë, të shërohet pas kësaj “prite” të tmerrshme që ka kaluar”, tha Françesku.

Mendja dhe zemra e Papës gjithmonë me Ukrainën e munduar

Duke ngritur vështrimin në të gjithë planetin, Papa Françesku u kërkoi besimtarëve të vazhdojmë të luten për paqen në botë, "veçanërisht në Ukrainën e torturuar, vuajtjet e së cilës janë gjithmonë të pranishme në mendjet dhe zemrat tona". “Të mos rrimë si spektatorë”, ripohoi Papa duke përshëndetur besimtarët gjermanishtfolës, “por të impenjohemi në mënyrë aktive për një botë më të drejtë dhe paqësore, secili sipas mundësive dhe fuqive tona”.

 

13 shtator 2023, 11:40