Papa: i shqetësuar për Nagorno Karabak, të heshtin armët
R.SH. - Vatikan
Të heshtin armët dhe të gjendet një zgjidhje paqësore në Nagorno Karabakh, kjo thirrja e Papës në fund të katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. "Dje mora lajme shqetësuese nga Nagorno Karabaku, në Kaukazin jugor, ku situata kritike humanitare tani është përkeqësuar edhe më shumë nga përleshjet e armatosura. U bëj thirrje edhe një herë të gjitha palëve të përfshira dhe komunitetit ndërkombëtar që - vuri në dukje Papa Françesku - të heshtin armët dhe të bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore për të mirën e personave dhe respektimin e dinjitetit njerëzor”.
Operacioni ushtarak
Azerbajxhani ka nisur një operacion ushtarak në Kaukazin e Jugut. Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit njoftoi operacionin ushtarak, duke e quajtur atë një aksion "anti-terrorist" kundër sulmeve të vazhdueshme të forcave armene dhe pasi disa civilë dhe policë azerbajxhanë kishin vdekur ditët e fundit nga shpërthimi i një mine. Sipas disa mediave, ushtria e Azerbajxhanit ka bombarduar Stepanakertin, qytetin kryesor në Kaukazin e Jugut nën kontrollin e Armenisë, dhe pozicione të tjera armene. Autoritetet armene kanë njoftuar për dy viktima civile, mes tyre një fëmijë dhe 23 të plagosur, ndërsa autoritetet e Azerbajxhanit raportuan për vdekjen e një qytetari në Shusha, një qytet i rëndësishëm në rajon, pas një sulmi artilerie.
Apeli i Kombeve të Bashkuara
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres "bën thirrje për një fund të menjëhershëm të luftimeve, për de-përshkallëzim dhe për respektim të rreptë të armëpushimit të vitit 2020 dhe për zbatimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare". Kështu bëri të ditur zëdhënësi i tij, Stéphane Dujarric, duke shtuar se sekretari i OKB-së është “jashtëzakonisht i shqetësuar për përdorimin e forcës ushtarake në rajon dhe për lajmet e viktimave, duke përfshirë edhe popullatën civile”.