Papa lutet për dhjetëra viktimat e zjarrit në Johannesburg
R. SH. - Vatikan
Dhimbje të thellë, në fund të audiencës së përgjithshme, shprehu Papa Françesku për zjarrin që të enjten e kaluar përfshiu një ndërtesë pesëkatëshe në qendër të Johannesburgut të Afrikës së Jugut, ku humbën jetën më shumë se 70 vetë, ndërmjet të cilëve, disa fëmijë. “Ju ftoj të bashkoheni me mua në lutjen për viktimat”, kujtoi Papa, i cili shprehu ngushëllimet e tij në funeralin e viktimave, duke dërguar një “bekim të veçantë për të vdekurit si dhe për ata, që po bëjnë çmos për të dhënë ndihmë dhe mbështetje”. .
Flakët përfshinë rreth 200 familje
Pallati, në pronësi të bashkisë, ishte braktisur nga autoritetet e dhënë me qira në mënyrë të paligjshme. Brenda ndërtesës jetonin rreth 200 familje të varfra, që nuk kishin mundur të gjenin strehim. Ishte aq i mbushur me njerëz, saqë edhe garazhi nëntokësor qe zënë nga disa familje. Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve, disa njerëz u hodhën nga dritaret e kateve të sipërme për të shpëtuar nga flakët. Autoritetet e Afrikës së Jugut hapën një hetim për të sqaruar këtë tragjedi ende pa autorë.
Bilanci: 76 viktima, dymbëdhjetë nga të cilët, fëmijë
Aktualisht numri është 76 viktima. Ndërmjet tyre, 12 fëmijë. Është e vështirë të identifikohen disa trupa për shkak të djegieve, ndërsa rreth 90 të plagosur janë ende të shtruar në spital. Sipas autoriteteve, shumica e të prekurve nga zjarri ishin emigrantë nga Malavi dhe Tanzania. OJQ-të kanë përgatitur disa strehime të përkohshme për të mbijetuarit, ndërsa disa rregulltarë thanë lutje pranë ndërtesës.
Papa ia beson Marisë Ukrainën "që vijon të vuajë kaq shumë"
Në përshëndetjet e tij drejtuar popullit në italisht, Françesku kujtoi më pas festën liturgjike të së premtes së ardhshme, "Lindjen e Marisë”. E ftoi “të ecim gjithmonë, si Maria, në shtigjet e Zotit”. "Asaj, Gruas së butësisë" – përsëriti - "ia besojmë vuajtjet dhe mundimet e Ukrainës së shtrenjtë e të martirizuar, e cila vuan kaq shumë".
Papa, pastaj, përshëndeti edhe polakët, ardhur në Romë për të kremtuar 770-vjetorin e shenjtërimit të Shën Stanislaut, ipeshkëv, martir dhe Pajtor i Polonisë. "Bariu heroik dhe këmbëngulës i Krakovisë" - kujtoi Françesku - "ra nën shpatën e sovranit polak, duke mbrojtur popullin e tij dhe ligjin e Zotit". “Me guxim të madh dhe liri të shpirtërore”, nënvizoi sërish, “e vuri Krishtin përpara botës”. “Shembulli i tij, më aktual se kurrë – përfundoi - ju inkurajoftë të jeni gjithnjë besnikë të Ungjillit, duke e mishëruar atë në jetën tuaj familjare dhe shoqërore. Kështu do të mund të jeni dëshmitarë të së vërtetës, të drejtësisë dhe dashurisë vëllazërore”.