Papa kujton familjen Ulma, një rreze drite në luftën II botërore
R.SH. - Vatikan
“Sot në Markowa të Polonisë u lumturuan martirët Joseph dhe Victoria Ulma me 7 bijtë e tyre, fëmijë. Një familje e tërë u shfaros nga nazistët më 24 mars 1944 sepse u kishte dhënë strehim disa hebrenjve që u persekutuan. Ata e kundërshtuan urrejtjen dhe dhunën që karakterizonte atë kohë me dashuri ungjillore.
Qoftë kjo familje polake, e cila përfaqësoi një rreze drite në errësirën e Luftës së Dytë Botërore, një model për ne të gjithë për ta imituar në përpjekjet tona për të mirën, në shërbimin e atyre që janë në nevojë. Një duartrokitje për këtë familje të të Lumturve të ri”. Kështu tha Papa pas lutjes së Engjëllit të Tënzot para besimtarëve të mbledhur sot në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Ishte një ditë e akullt marsi…
Ishte 24 mars 1944 kur në Markowa, fshat i Polonisë, u shfaros një familje e tërë: Jozefi dhe Wiktoria, me fëmijët e tyre Stasia, Basia, Wladziu, Franio, Antos, Marysia Ulma dhe një foshnjë ende në barkun e nënës. Një ferishte. Krijesë ende pa emër! Para tyre u pushkatuan tetë hebrenjtë nga familjet Goldman, Grünfeld dhe Didner, që fshiheshin pikërisht për t’i shpëtuar këtij fundi kaq tragjik!
Familja Ulma u njohën më pas si "Të Drejtë ndërmjet e Kombeve", nderimi më i lartë që shteti i Izraelit u bën johebrenjve. Një familje që vuri mbi çdo gjë miqësinë dhe dashurinë e që me gjestin e saj fitoi titullin "Samaritanët e Markovës".
Historia e familjes polake Ulma ndërthuret me atë të Luftës II Botërore dhe persekutimin e hebrenjve. Shumë prej tyre u shfarosën në kampe përqendrimi, të tjerët u pushkatuan në geto. Por pati edhe nga ata që vdiqën në shtëpitë e njerëzve, që kishin vendosur të mos shikonin nga ana tjetër, por t’i ndihmonin edhe me humbjen e jetës. Në historinë e jetës dhe të fundit të tyre përmblidhet edhe historia e "luftës së pakuptimtë", siç e quan shpesh Papa Françesku, e cila prodhon tmerre dhe dhimbje! Po njerëzimi ndonjëherë duket se nuk i mban mend. Ndaj i duhen kujtuar, që të mos përsëriten kurrë më!
“Shembulli i kësaj familjeje heroike, që flijoi jetën e saj vetëm e vetëm për t’i shpëtuar hebrenjtë e persekutuar, ju ndihmoftë të kuptoni se shenjtëria dhe gjestet heroike arrihen përmes besnikërisë së gjërave të vogla, të përditshme”, u tha Papa besimtarëve e shtegtarëve polakë të pranishëm në audiencën e përgjithshme të 30 gushtit të kaluar, në Vatikan.