Papa: Kisha, zë solidar me gjithë të mjeruarit e botës
R.SH. / Vatikan
Duke u takuar sot me ipeshkvijtë, meshtarët, misionarët, rregulltarët e rregulltaret si dhe veprimtarët baritorë që veprojnë në Mongoli, në Katedralen e Shenjtorëve Pjetër e Pal, në Ulaanbaatar, Papa shprehu kënaqësinë që ndjente nga ky takim. Jam i lumtur që ju takoj - u tha - duke u kujtuar më pas se ishte gëzimi i Ungjillit arsyeja që i shtyu burra e gra t'i kushtohen Zotit dhe të tjerëve, së bashku me vëllezërit dhe motrat laike. E bekoj Zotin për këtë - shtoi - e këtë e bëj përmes një lutjeje të bukur lavdërimi, Psalmit 34, i cili më frymëzon të ndaj disa mendime me ju.
Shijojeni dhe shikoni sa i mirë është Zoti!
"Shijojeni dhe shikojeni sa i mirë është Zoti" (v. 9) - citoi Papa - Shijojeni dhe shikojeni, sepse gëzimi dhe mirësia e Zotit nuk janë diçka kalimtare, por mbeten në shpirt, i japin shije jetës dhe i tregojnë gjërat në një mënyrë të re”.
Prandaj dëshiroj ta ndjej shijen e fesë në këtë tokë - vijoi Papa - duke kujtuar para së gjithash histori dhe jetë të shkrira për Ungjillin. Të shkrish gjithë jetën për Ungjillin: përkufizim i bukur i thirrjes misionare të të krishterit, sidomos po të mendojmë për mënyrën si e jetojnë të krishterët këtu.
Rrënjët e krishterimit në Mongoli
Më pas Papa kujtoi se ipeshkvi Wenceslao Selga Padilla, Prefekt i parë Apostolik, ishte pionier i fazës bashkëkohore të Kishës në Mongoli dhe ndërtues i kësaj katedraleje. E edhe se feja nuk nisi vetëm në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Ka rrënjë shumë më të lashta - pohoi Papa - për të shtuar, më pas, se përvoja e mijëvjeçarit të parë, e fituar nga lëvizja ungjillëzuese e traditës siriane, e cila u përhap përgjatë rrugës së mëndafshit, u pasua nga një angazhim i konsiderueshëm misionar:
“Si mund t’i harrojmë misionet diplomatike të shekullit XIII, por edhe kujdesin apostolik të treguar nga emërimi, rreth vitit 1310, i Giovanni da Montecorvino-s si ipeshkëv i parë i Khan Bālīq dhe, si rrjedhim, përgjegjës për gjithë këto troje të pafundme të botës, nën dinastinë Mongole Juan? Ishte ai që përktheu për herë të parë mongolisht Librin e Psalmeve dhe të Dhiatën e Re”.
Ringjallja e pasionit për Ungjillin, në kohët e reja
E pra, kjo histori e madhe pasioni për Ungjillin u ringjall në mënyrë të jashtëzakonshme në vitin 1992 me ardhjen e misionarëve të parë të Kongregatës së Zemrës së Papërlyer të Marisë - kujtoi Papa - së cilës iu shtuan përfaqësues të instituteve të tjera, klerikët dioqezanë dhe vullnetarë laikë, disa prej të cilëve Françesku i kujtoi me emër:
“Ndërmjet të gjithëve do të doja të përmendja Atin aktiv dhe të zellshëm Stephano Kim Seong-hyeon. Pa harruar as shërbëtorët e shumtë besnikë të Ungjillit në Mongoli, që janë këtu me ne tani dhe që, pasi e shkrinë jetën e tyre për Krishtin, shohin dhe shijojnë mrekullitë që mirësia e tij vazhdon të veprojë në ju, nëpërmjet jush”.
Pse ta shkrish jetën për Ungjillin?
Pse ta shkrish jetën për Ungjillin? - pyeti Papa, në vijim të këtij fjalimi krejt të jashtëzakonshëm, në një vend të jashtëzakonshëm. Pikërisht sepse - gjegji - siç kujton Psalmi 34, njeriu shijoi, ndjeu aromën e mirë, përjetoi në jetën e tij butësinë e dashurisë së Perëndisë:
“Kjo përvojë e dashurisë së Zotit Atë në Krishtin është dritë e pastër që e shpërfytyron fytyrën duke e bërë të ndritshme”.
Në vijim Papa vlerësoi lart veprimtarinë e priftërinjve, burra e gra të shuguruar e punëtorë baritorë që, në këto tridhjetë e një vjet prani në Mongoli, i dhanë jetë një mori nismash bamirësie, të cilat thithin pjesën më të madhe të energjive të tyre dhe pasqyrojnë fytyrën e mëshirshme të Krishtit, Samaritanit të Mirë:
“Është si kartëvizita juaj, e cila ju ka bërë të respektuar dhe të vlerësuar për përfitimet e shumta që u keni sjellë shumë njerëzve në fusha të ndryshme: nga ndihma në arsim, tek kujdesi shëndetësor dhe promovimi kulturor. Ju inkurajoj të vazhdoni këtë rrugë të frytshme dhe të favorshme për popullin e dashur mongol”.
Në të njëjtën kohë - vijoi Papa - ju ftoj ta shijoni dhe të shikoni Zotin, për t'u kthyer gjithmonë dhe përsëri në atë vështrim origjinal, nga i cili lindi gjithçka.
Institucionet laike nuk kanë pse frikësohen nga veprimi ungjillëzues i Kishës
Duhet të kthehemi te burimi, te fytyra e Jezusit, te prania e tij, për ta shijuar:
“Ai është thesari ynë (krh. Mt 13,44), perla e çmuar për të cilën ia vlen të shpenzojmë gjithçka (krh. Mt 13 :45-46). Vëllezërit dhe motrat e Mongolisë, të cilët kanë një ndjenjë të spikatur të shenjtërisë dhe - siç është tipike për kontinentin aziatik - një histori fetare të gjerë dhe të artikuluar, e presin këtë dëshmi nga ju”.
Zoti Jezus, duke i nisur dishepujt e tij në botë, nuk i dërgoi për të përhapur mendimin politik, por për të dëshmuar me jetën e tyre risinë e marrëdhënies me Atin e tij, i cili u bë "Ati ynë" (krh. Gjn 20,17) duke krijuar kështu një vëllazëri konkrete me çdo popull:
“Kisha, që lind nga ky mandat, është Kishë e varfër, që mbështetet vetëm në fenë e vërtetë, në fuqinë e çarmatosur dhe çarmatosëse të të Ngjallurit, e aftë për të lehtësuar vuajtjet e njerëzimit të plagosur. Kjo është arsyeja pse qeveritë dhe institucionet laike nuk kanë pse të frikësohen nga veprimi ungjillëzues i Kishës, sepse ajo nuk ka plane politike për të ndjekur, por njeh vetëm fuqinë e përvuajtur të hirit të Zotit dhe Fjalën e mëshirës e të vërtetësisë, e aftë për të punuar në dobi të të gjithëve”.
E gjithë Kisha është pranë jush - pohoi në vijim Papa - është me bashkësinë tuaj, vërtet katolike, domethënë universale, që fiton simpatinë e të gjithë vëllezërve dhe motrave të shpërndara nëpër botë për Mongolinë, duke krijuar kështu, një bashkësi të madhe kishtare.
Vlera e fjalës bashkim
E theksoj këtë fjalë: bashkim, që do thotë edhe kungim. Është Trupi Mistik i Krishtit, Kisha. Prandaj është e rëndësishme që të gjithë besimtarët të bashkohen rreth Ipeshkvit, i cili përfaqëson Krishtin e gjallë në mes të popullit të tij, duke ndërtuar atë bashkësi sinodale, që tashmë është shpallur dhe që ndihmon aq shumë në inkulturimin e fesë. Më pas, një përshndetje tejet prekëse drejtuar të pranishëmve:
“Misionarë të shumëdashur, shijojeni dhe shikojeni dhuratën që jeni, bukurinë e dhurimit të gjithë vetvetes Krishtit, i cili ju thirri për të dëshmuar dashurinë e tij pikërisht këtu, në Mongoli. Vazhdoni ta bëni këtë duke kultivuar bashkimin. Bëjeni me thjeshtësinë e një jete të matur, në përngjasim të Zotit, i cili hyri në Jerusalem i hipur mbi gomar, e u kryqëzua i zhveshur! Jini gjithmonë pranë njerëzve, duke u kujdesur personalisht për ta, duke mësuar gjuhën e tyre, duke respektuar e dashuruar kulturën e tyre, duke mos lejuar të tundoheni nga letrat me vlerë të kësaj bote, por duke ndjekur pa u lëkundur Ungjillin nëpërmjet drejtësisë shembullore të jetës shpirtërore dhe morale”.
Thjeshtësi dhe afërsi, pra - kërkoi Papa nga Kisha e këtij vendi të largët, pa fund - pa u lodhur kurrë në përpjekjen për t'i sjellë Jezusit fytyrat dhe historitë që hasni, problemet dhe shqetësimet, duke kaluar kohën në lutjen e përditshme, që ju ndihmon të jeni gjithnjë në këmbë e të merrni forcë nga "Zoti i çdo ngushëllimi" (2 Kor 1:3).
Kisha, zë solidar me gjithë të mjeruarit e botës
Kisha - shpjegoi Papa - i paraqitet botës si zë solidar me të gjithë të varfërit dhe nevojtarët, zë i cili nuk hesht përballë padrejtësive, zë që me butësi merr përsipër të mbrojë dinjitetin e çdo njeriu. Më pas Papa kujtoi traditën interesante, të panjohur mongole të suun dalai ijii, nënës me zemër të madhe sa një oqean qumështi. Më pas, një ftesë prekëse:
“Nëse, në rrëfimin e Historisë së fshehtë të Mongolëve, një dritë e zbritur përmes hapjes së sipërme të ger, fekondon mbretëreshën mitike Alungoo, ju mund të sodisni në amësinë e Virgjëreshës Mari veprimin e dritës hyjnore që, nga lart, shoqëron çdo ditë hapat e Kishës suaj”.
Me sytë e lartuar drejt Marisë, jini të qetë, duke parë se vogëlsia nuk është problem, por burim. Po, Hyji e do vogëlsinë dhe i pëlqen të bëjë gjëra të mëdha nëpërmjet vogëlsisë, siç e dëshmon Maria (krh. Lk 1,48-49):
“Vëllezër, motra, mos kini frikë nga numri i vogël, nga sukseset që vonohen, nga rëndësia që nuk duket. Kjo nuk është rruga e Zotit, le të shikojmë Marinë, e cila në vogëlsinë e saj është më e madhe se qielli, sepse strehoi brenda vetes Atë që qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund ta mbajnë (krh. 1 Mbr. 8,27).
Në përfundim, thirrja:
“Përpara! Zoti të do. Ai të zgjodhi dhe beson në ty. Unë jam me ju dhe me gjithë zemër ju them: faleminderit. Faleminderit për dëshminë tuaj, faleminderit për jetën tuaj të shkrirë për Ungjillin. Vazhdoni kështu, të qëndrueshëm në lutje, krijues në bamirësi, të palëkundur në bashkësi, të gëzuar dhe të butë në çdo gjë dhe me këdo. Ju bekoj dhe ju kujtoj. E edhe ju, ju lutem, mos harroni të luteni për mua. Faleminderit”.