Kërko

Papa Françesku flet virtualisht në Nismën Globale Klinton (Nju Jork, më 18 dhe 19 shtator) Papa Françesku flet virtualisht në Nismën Globale Klinton (Nju Jork, më 18 dhe 19 shtator)

Papa: “jo” luftës dhe planeve për pushtim e agresion ushtarak

Françesku flet virtualisht në Nismën Globale Klinton (Nju Jork, më 18 dhe 19 shtator), duke prekur sfidat urgjente të kohës sonë. U bën thirrje të gjithëve për përgjegjësi në luftën kundër egoizmit e narcizizmit: “Është koha t'i kthehemi dialogut, diplomacisë”. Foli edhe për misionin e Spitalit Pediatrik “Bambino Gesù”, simbol i integrimit të shkencës me mikpritjen. Gjithashtu, bëri thirrje për përballimin e ndryshimeve klimatike “sa s’është vonë”

R.SH. – Vatikan

Thirrje e re e Papës kundër luftës dhe për t’u bërë ballë pasojave të ndryshimeve klimatike “sa s’është vonë”. Ati i Shenjtë, i lidhur në videokonferencë, foli dje (18 shtator) në Nismën Globale Klinton, e cila deri sot organizon në Nju Jork një takim dy-ditor për të diskutuar mbi kthesën e nevojshme në mënyrën e jetesës, me qëllim që të gjitha kombet të përparojnë së bashku. Para se të fliste Ati i Shenjtë, pjesëmarrësit panë një video me pamje nga udhëtimet e tij ndërkombëtare dhe nga audiencat më të rëndësishme, veçanërisht nga kontaktet me të vegjlit dhe të sëmurët.

Të merret përsipër përgjegjësia e përbashkët

Përballë sfidave të shumta të kohës, përmendur nga ish-presidenti amerikan Klinton, duke filluar me ndryshimet klimatike e deri tek krizat humanitare, që prekin migrantët dhe refugjatët, përfshirë asistencën për fëmijët, Papa ritheksoi se "vetëm së bashku mund ta shërojmë botën nga anonimiteti, që është globalizimi i indiferencës”. Sërish, vuri në dukje se bota ndodhet në një luftë të tretë botërore pjesë-pjesë, e cila kërkon përgjegjësi të përbashkët.

“Asnjë sfidë, asnjë sfidë nuk është tepër e madhe, nëse e përballojmë, duke u nisur nga kthesa personale e secilit prej nesh, nga kontributi personal që secili mund të japë për ta kapërcyer dhe nga vetëdijësimi për çfarë na bën pjesë të të njëjtit fat. Asnjë sfidë nuk mund të përballohet vetëm. Jo të vetëm, por vetëm së bashku. Motra dhe vëllezër, bij të Zotit, për këtë arsye, i inkurajoj gjithmonë të gjitha gratë dhe burrat vullnetmirë - e dua ta bëj edhe këtu - të mos dorëzohen para vështirësive”.

Më mirë uniteti se konflikti, të heshtin armët

Vështirësitë, vijoi Françesku, mund të nxjerrin në pah ç’kemi më të mirë, ose më të keqe. Këtu qëndron sfida. “Të luftojmë egoizmin, narcisizmin dhe ndarjen, me bujari”.

“Është koha të gjejmë ndryshimin që sjell paqe, ndryshimin që sjell vëllazërim. Është koha të heshtin armët. Është koha t'i rikthehemi dialogut, diplomacisë. Është koha të ndalen planet e pushtimit dhe të agresionit ushtarak. Për këtë arsye, e përsëris: jo luftës! Jo luftës!”

Të ndalemi, sa jemi në kohë

Më pas, Ati i Shenjtë foli për katastrofën ekologjike, një nga temat qendrore të Nismës Globale Klinton. “Të ndalemi, sa jemi në kohë”: kjo, thirrja e Papës, të cilën e përsëriti edhe në fund të lidhjes me Nju Jorkun, kur ish-presidenti amerikan e ftoi të bëjë një apel për gjithë njerëzimin. “Të veprojmë, para se të jetë tepër vonë!”, kërkoi Françesku, i cili kohët e fundit e pa të nevojshme të shkruante një pjesë të dytë të enciklikës së tij mbi ekologjinë “Laudato si’”. Më pas, emergjenca e emigracionit.

“Nuk po flasim për numra – theksoi Papa – por për njerëz, gra, burra e fëmijë. Kur flasim për emigracionin, të mendojmë për sytë e fëmijëve, që shohim në kampet e refugjatëve. Është koha të mendojmë për më të rinjtë, për fëmijët, për arsimimin e tyre, për kujdesin”.

Spitali Bambino Gesù, kombinim i shkencës dhe mikpritjes

Françesku përmendi misionin dhe projektet e Spitalit të Selisë së Shenjtë “Bambino Gesù”, ​​i cili, gjatë muajve të luftës në Ukrainë, ka trajtuar më se dy mijë pacientë të vegjël ukrainas, që janë larguar nga vendi bashkë me prindërit dhe të afërmit. Shëndetësia duhet të jetë për të gjithë, kërkoi Papa, i cili nënvizoi veçorinë specifike, që e dallon punën e kësaj strukture të njohur në mbarë botën:

“Dëshiron të jetë shenjë. Dëshmi se si është e mundur (mes shumë përpjekjesh) të kombinohet puna e madhe kërkimore shkencore, që synon kujdesin për fëmijët, me mikpritjen falas për nevojtarët. Shkenca dhe mikpritja: këto dy gjëra takohen rrallë në një farë niveli”.

Clinton: mund të përmirësohemi çdo ditë

Në mbledhjen e Nismës Globale Klinton marrin pjesë figura të njohura ndërkombëtare, nga shkencëtarë te gazetarë, nga drejtues të institucioneve politike dhe ndërkombëtare deri te aktivistët, sipërmarrësit dhe donatorët. Të gjithë sjellin dëshmi dhe praktika rreth temës së përgjithshme: “Si të ecim përpara, pavarësisht nga vështirësitë, për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për të gjithë?” Ish-presidenti Klinton kujtoi se çdo ditë na duhet të marrim vendime të vogla për këtë, prandaj, të gjithë jemi përgjegjës. Fondacioni, i themeluar në vitin 2005, me veprimtarinë e tij ka ndikuar në jetën e mbi 435 milionë njerëzve në më se 180 vende. Por, “mund të përmirësohemi çdo ditë,” nënvizoi ai. Seanca plenare e paradites së djeshme, ku foli Papa Françesku, trajtoi tema, që shkonin nga bujqësia e qëndrueshme deri te kujdesi i barabartë shëndetësor, nga këndvështrimi mbi rimëkëmbjen afatgjatë në Ukrainë tek ekonomia gjithëpërfshirëse, nga dhuna gjinore te mbrojtja e oqeaneve.

19 shtator 2023, 10:32