Kërko

Papa, jam pranë popullit të dashur të Marokut të goditur nga tërmeti

Apeli i Papës pas lutjes së Engjëllit të Zotit për popullsinë e vendit të Afrikës Veriore goditur natën e së premtes së 8 shtatorit nga një tërmet shkatërrues, numri i fundit i të cilit është mbi dy mijë të vdekur dhe po aq të plagosur, shumë prej tyre në gjendje shumë të rëndë. Papa u lut për viktimat e familjet e tyre dhe falënderoi shpëtimtarët, duke kërkuar që "ndihma konkrete e të gjithëve të mund të mbështesë popullsinë e sprovuar".

R.SH. - Vatikan

Papa shprehu edhe një herë, sot, gjatë lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan në prani të besimtarëve e shtegtarëve të ardhur nga vendet e ndryshme, afërsinë e tij me popullin e Marokut, goditur natën e së premtes së 8 shtatorit nga një tërmet shkatërrues.

Dëshiroj të shpreh afërsinë time me popullin e dashur të Marokut, të goditur nga një tërmet shkatërrues. Lutem për të plagosurit, për ata që kanë humbur jetën – janë shumë! – dhe për anëtarët e familjes së tyre. Falënderoj shpëtimtarët dhe ata që po punojnë për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve; Ndihma konkrete e të gjithëve mund të mbështesë popullin në këtë moment tragjik: jemi pranë popullit të Marokut!”.

Dje, menjëherë pas lajmit për tërmetin, Papa në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit kardinali Parolin, siguroi afërsinë dhe lutjet e tij për ata që kanë humbur të dashurit dhe shtëpitë e tyre nga tërmeti dhe inkurajoi të gjithë ata që janë përfshirë në përpjekjet e shpëtimit.

Mbreti urdhëroi lutje për të vdekurit në të gjitha xhamitë e Marokut
Me urdhër të mbretit Muhamed VI, të gjitha xhamitë e Marokut kremtuan sot në mesditë ritin e 'Janazah', lutjet mortore të varrimit, në kujtim të viktimave të tërmeti dramatik që goditi vendin arab. Sot në Marok të gjithë flamujt janë në gjysmështizë në shenjë zie, njoftojnë mediat lokale. Për momentin ka mbi 2 mijë të vdekur, por fatkeqësisht numri është ende i përkohëshëm. Sot është regjistruar një tërmet i ri me magnitudë 4.5, ndërsa njerëzit ende po gërmojnë nëpër rrënoja për të shpëtuar jetën e atyre që ndodhën nën gërmadha.

Vazhdon puna për të shpëtuar ata që janë nën rrënoja

Vazhdojnë akoma përpjekje për të shpëtuar jetët e njerëzve që janë të bllokuar nga rrënojat. “24-48 orët e ardhshme do të jenë vendimtare”, kujton Caroline Holt, drejtoreshë e operacioneve të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. "Përpjekjet për kërkimin dhe shpëtimin e njerëzve do të kenë prioritet, natyrisht, paralelisht me sigurimin e ndihmës së duhur atyre personave kanë mbijetuar".

Situata është kritike në zonat rurale të epiqendrës së tërmetit, ku shumë shtëpi, të ndërtuara me tulla balte, janë shembur dhe rrugët hyrëse për në fshatra janë ende të bllokuara nga rrënojat. Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), më shumë se 300 mijë njerëz në dhe rreth Marrakech kanë nevojë për ndihmë, duke nënvizuar se ajo "po monitoron nga afër situatën dhe është e gatshme të ofrojë mbështetje". Më parë OKB-ja pati thënë se ishte e gatshme të "ndihmonte Qeverinë e Marokut në përpjekjet e saj për të ndihmuar popullsinë e prekur nga kjo fatkeqësi".

10 shtator 2023, 13:37