Papa: “I uroj çdo të mirë popullit fisnik kinez”
R.SH. – Vatikan
“Këta dy vëllezër ipeshkvij, bariu i nderit i Hong Kongut dhe ipeshkvi aktual i Hong Kongut…”.
Mesha në Steppe Arena në Ulan Bator pothuajse kishte marrë fund, kur Papa, duke hapur krahët, përpara se t’i shprehte falënderimet kardinalit të Mongolisë Giorgio Marengo, kërkoi të afroheshin imzot John Tong Hon dhe imzot Stephen Chow, që do të bëhet kardinal më 30 shtator.
Shkoni përpara, gjithmonë përparoni
Françesku u kapi dorën të dyve, të pranishëm këto ditë në të gjitha ngjarjet e udhëtimit në Mongoli, e u tha: "Dëshiroj të përfitoj nga prania juaj për t'i dërguar një përshëndetje të ngrohtë popullit fisnik kinez. Të gjithë popullit i uroj çdo të mirë dhe të ecë përpara, gjithmonë progres”.
Mesazh për katolikët kinezë
Heshtja u thye nga një kor, që briti “Rroftë Papa!". Të parat, që e ngritën zërin, ishin dy gra nga Hong Kongu, të cilat, nga tribuna ku ndodheshin, valëvitën flamurin e Kinës. Duke parë ato dhe rreth 200 kinezët e tjerë, që erdhën në Ulan Bator me tren, me avion dhe me makinë nga Kina kontinentale, por edhe nga Makao e Tajvani, Papa u bëri thirrje të gjithë besimtarëve të vendit aziatik.
“Katolikëve kinezë u kërkoj të jenë të krishterë të mirë dhe qytetarë të mirë. Të gjithë”.
"Faleminderit", tha sërish Françesku duke mbajtur fort duart e imzot Hon dhe të imzot Chow. Kur ky i fundit të marrë kësulën e purpurtë, kardinajtë e Hong Kongut do të jenë tre, duke pasur parasysh edhe kardinalin në pension Joseph Zen.
Mesazhi për Xi Jinping në fillim të udhëtimit
Kina ka 4000 km kufi me Mongolinë. Në telegramin, që Papa i çoi presidentit kinez Xi Jinping, ndërsa kalonte me avion sipër vendit të tij, në fillim të shtegtimit apostolik, Ati i Shenjtë siguronte “lutje për mirëqënien e kombit” e i kërkonte Zotit bekime hyjnore për bashkim e paqe. Pekini u përgjigj përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin. Kina, pohoi ai, "është gati të vazhdojë punën me Vatikanin për t'u impenjuar në një dialog konstruktiv, për të përmirësuar mirëkuptimin, për të forcuar besimin e ndërsjellë”, drejt “përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve".
200 kinezë këto ditë në Mongoli
Siç e thamë, rreth 200 kinezë ndodhen në Ulan Bator, për Papën. Ishin ndër të parët, që mbërritën në ceremoninë e mirëseardhjes, në Sheshin Sükhbaatar, më 2 shtator, dita e parë e udhëtimit, duke u thënë gazetarëve se deshën të marrin pjesë në këtë ngjarje, pavarësisht nga disa vështirësi. Disa prej tyre nuk deshën të japin as emrin dhe as origjinën. Besimtarët e famullisë së Shën Jozefit në Hong Kong e organizuan udhëtimin në Mongoli muaj më parë për të përkuar me vizitën e Françeskut. Njëri prej tyre nënvizoi se u nis për në Mongoli për të "treguar se ne jemi e njëjta Kishë, se e duam Papën, se ai na do dhe e do Kinën”. Fjalët e sotme të Papës, pohoi, “ishin shumë të fuqishme e mund të ndihmojnë unitetin”. “Është mirë për ne të jemi të bashkuar, kjo na inkurajon, na përforcon”.