Papa: fetë në shërbim të së mirës, mos e ngatërroni besimin me dhunën
R.SH. – Vatikan
Traditat fetare paraqesin një potencial të jashtëzakonshëm për të mirën e shoqërisë dhe kanë përgjegjësinë e madhe që të përfaqësojnë me vepra gjithçka, në të cilën besojnë, ato mësime që nuk mund të kundërshtohen e nuk duhet të bëhen burim shkandulli.
Fjalimi i tretë i Papës në tokën mongole u drejtohet krerëve të krishterë dhe liderëve të feve të tjera, gjatë takimit ekumenik dhe ndërfetar në Teatrin Hun në Ulan Bator. Françesku bën një thirrje të qartë që fetë të marrin përsipër përgjegjësinë në këto kohë kur bota është “e përçarë nga luftërat dhe mosmarrëveshjet", por kërkon edhe të mos krijohet "konfuzion ndërmjet besimit dhe dhunës, ndërmjet përshpirtërisë së vërtetë dhe imponimit, ndërmjet rrugës fetare dhe sektarizmit”, duke iu larguar fundamentalizmit dhe instrumentalizimit ideologjik, që e “kompromentojnë paqen”.
“Traditat fetare, në origjinalitetin dhe larminë e tyre, paraqesin një potencial të jashtëzakonshëm për të mirën, në shërbim të shoqërisë. Nëse ata, që janë përgjegjës për kombet, do të zgjidhnin rrugën e takimit dhe të dialogut me të tjerët, do të jepnin një kontribut vendimtar për t'i dhënë fund konflikteve, që vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje për kaq shumë popuj”.
Fetë, dëshmi harmonie
Françesku vë në dukje bashkëjetesën fetare karakteristike për popullin mongol, dëshmi e harmonisë së lashtë, fjalë "me shije tipike aziatike", e cila shpjegon "marrëdhëniet që krijohen ndërmjet realiteteve të ndryshme, pa imponime e homolgime, por me respekt ndaj dallimeve, në dobi të jetës së përbashkët”. Papa u bën thirrje besimtarëve të punojnë për këtë harmoni, me altruizëm, sepse kjo i jep “vlerë shoqërore fesë”.
“Altruizmi e krijon harmoninë dhe ku ka harmoni, ka mirëkuptim, begati, bukuri. Madje, harmonia është ndoshta sinonimi më i përshtatshëm i bukurisë. Përkundrazi, mbyllja, imponimi i njëanshëm, fundamentalizmi dhe instrumentalizimi ideologjik e shkatërrojnë vëllazërimin, nxisin tensionet dhe vënë në rrezik paqen”.
Harmonia kërcënohet nga miopia e kërkimit të fitimit e të mirëqënies me çdo kusht, vijon më tej Papa, duke denoncuar shkatërrimin e tokës nga interesat e njëanshme, padrejtësitë, konfliktet, persekutimet e nga mosrespektimi i jetës njerëzore.
Prania pa bujë e misionarëve
Mongolia ka një "trashëgimi të madhe urtie", që Françesku e përshkruan përmes dhjetë aspekteve: marrëdhëniet e mira me traditën; respekti për të moshuarit dhe paraardhësit; kujdesi për ambientin; vlera e heshtjes dhe e jetës shpirtërore; qëndrimi i shëndetshëm ndaj kursimit; vlera e mikpritjes; aftësia për t'i rezistuar lidhjes me gjërat e kësaj bote; solidariteti; vlerësimi për thjeshtësinë dhe së fundi, "një farë pragmatizmi ekzistencial, që përpiqet të kërkojë me këmbëngulje të mirën e individit dhe të krejt bashkësisë". Edhe një herë, Papa e shikon ger-in, shtëpinë tradicionale mongole, si shembull të një "hapësire njerëzore", e cila favorizon takimin dhe dialogun, si "pikë konkrete referimi" dhe si "arsye shprese për ata, që e kanë humbur rrugën”. Ger-i është gjithmonë vend i hapur dhe mikpritës, për miqtë dhe për të panjohurit.
“Kjo është edhe përvoja e misionarëve katolikë, ardhur nga vende të tjera, të cilët mirëpriten këtu si shtegtarë dhe miq, që hyjnë në këtë botë kulturore në majë të gishtave, për të dhënë dëshminë e përvuajtur të Ungjillit të Jezu Krishtit”.
Jo, konfuzionit ndërmjet besimit e dhunës
Ger-i ka edhe një përmasë shpirtërore, pasi hapja e tij unike nga lart, përmes një vrime në të cilën hyn drita, të kujton "hapjen thelbësore ndaj hyjnores". Në bashkëjetesën njerëzore brenda kësaj shtëpie tradicionale të hapur për mikun e për Zotin, Ati i Shenjtë sheh "njerëzimin e pajtuar dhe të begatë", ku "impenjimi për drejtësinë dhe paqen gjen frymëzim dhe bazë në marrëdhëniet me hyjnoren".
“Këtu, të dashur vëllezër e motra, përgjegjësia jonë është e madhe, sidomos në këtë orë të historisë, sepse qëndrimi ynë duhet të vërtetojë me fakte mësimet, që shpallim; nuk mund t'i kundërshtojë ato, duke u bërë shkak shkandulli. Prandaj, nuk duhet ngatërruar besimi me dhunën, përshpirtëria me imponimin, rruga fetare me sektarizmin. Kujtimi i vuajtjeve të së kaluarës - mendoj sidomos për bashkësitë budiste - të na japë forcën për t'i shndërruar plagët e errëta në burime drite, injorancën e dhunës në urti jete, të keqen që shkatërron në të mirën që ndërton”.
Ofroni gjithçka jeni dhe gjithçka në të cilën besoni
Ky është impenjimi, që Papa u kërkon feve të ndryshme, sipas mësimeve të "mësuesve të tyre shpirtërorë".
“Në shoqëritë pluraliste, që besojnë në vlerat demokratike, si Mongolia, çdo institucion fetar, i njohur nga autoritetet civile, ka për detyrë dhe, para së gjithash, të drejtë të ofrojë çka është dhe çka beson, duke respektuar ndërgjegjen e të tjerëve dhe duke synuar të mirën e të gjithëve”.
Impenjimi i Kishës Katolike
Kjo është rruga, që synon të përshkojë Kisha Katolike, pohon Françesku, rrugë, që bazohet në besimin e fuqishëm se dialogu ekumenik, ndërfetar dhe kulturor i bën njerëzit ta njohin thesarin dhe bukurinë e çdo feje, në qëndrim të hapur ndaj traditave të tjera. Dialogu, nënvizon Ati i Shenjtë, nuk i sheshon dallimet, por ndihmon për t’i kuptuar ato, ua ruan origjinalitetin dhe jep mundësinë për t’u konfrontuar me tjetrin, me qëllim pasurimin e ndërsjellë. Të gjitha fetë kanë të njëjtin dinjitet dhe kur janë në gjendje ta përshkojnë vërtet së bashku rrugën e jetës, i japin botës një shenjë se shpresa është e mundur, thekson Papa.
“Në një botë të përçarë nga luftërat dhe mosmarrëveshjet, kjo mund të duket utopi; e, megjithatë, sipërmarrjet më të mëdha fillojnë në heshtje, me përmasa pothuajse të paperceptueshme”.
Së fundi, Françesku u kërkon të gjithëve “të kultivojnë shpresën”, të përpiqen së bashku për të ndërtuar një botë më të mirë, me lutje e vëllazërim, për një botë në harmoni, si shtegtarë të thirrur për ta ruajtur atmosferën e shtëpisë, për të gjithë.