Papa, fëmijëve të katekizmit: ju uroj gëzimin e takimit me Krishtin
R.SH. – Vatikan
Së shpejti, do të fillojë viti i ri katekistik në të gjitha famullitë, prandaj, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku bekoi nismën e Elledici, shtëpisë botuese saleziane, e cila “u dhuroi të pranishmëve në shesh një doracak për katekizmin, me titull 'Hap pas hapi': është dhuratë e bukur!”, nënvizoi Ati i Shenjtë. Papa "i falënderoi katekistët për punën e tyre të çmuar dhe u uroi djemve dhe vajzave të katekizmit gëzimin e takimit me Jezu Krishtin".
Shoqërimi i familjeve në edukimin e krishterë të fëmijëve
“Hap pas hapi” është një projekt katekistik origjinal, që shoqëron familjet në edukimin e krishterë të fëmijëve nga 7 deri në 12 vjeç. Është menduar për fëmijët, adoleshentët dhe familjet e sotme, eksperimentuar gjerësisht nga katekistët dhe nga meshtarët e famullive kishtare me një metodologji të re dhe tërheqëse. Bazohet në seminare dhe veprimtari për fëmijë dhe adoleshentë, prindër dhe katekistë, strukturuar në 6 doracakë interaktivë dhe në 6 udhëzues për katekistët.