Papa bën thirrje për të mirëpritur dhe integruar ata që trokasin në dyert tona
R.SH. / Vatikan
“Migrimi duhet të jetë një zgjedhje e lirë, asnjëherë e vetmja udhë e mundshme”. Kështu tha Papa Françesku gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, duke iu drejtuar rreth 18 mijë besimtarëve, të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në ditën kur Kisha Katolike kremton Ditën e 109-të Botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve, sivjet kushtuar temës “Të lirë për të zgjedhur emigrimin, ose qëndrimin në atdhe".
“E drejta për të migruar - komentoi Papa Françesku - është bërë një detyrim për shumë njerëz, ndërkohë që duhet të ketë të drejtën për të mos migruar, por për të qëndruar në tokën e vet. Prandaj është e nevojshme që çdo burri dhe çdo gruaje t'i garantohet mundësia për të jetuar një jetë dinjitoze në vendin ku ndodhet.
"Fatkeqësisht, varfëria, lufta dhe kriza klimatike detyrojnë shumë njerëz të ikin nga vendet e tyre. Prandaj të gjithë jemi të thirrur të ndërtojmë komunitete të gatshme dhe të hapura për të pritur, promovuar, shoqëruar dhe integruar ata që trokasin në dyert tona”. Në këtë kuptim, pasi kujtoi se kjo ishte edhe një nga temat kryesore të udhëtimit të bërë ditët e fundit në Marsejë, Papa deshi shprehimisht të falënderonte “ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore Italiane që bëjnë gjithçka për të mirëpritur e ndihmuar vëllezërit tanë emigrantë”.
Të lutemi për popullin që vuan kaq shumë në Ukrainë
Edhe sot Papa e kujtoi popullin e shumëvuajtur të Ukrainës dhe iu drejtua besimtarëve me këto fjalë:
“Le ta kujtojmë Ukrainën e torturuar dhe të lutemi për këtë popull që vuan kaq shumë”, kështu tha Papa Françesku në fund të lutjes së Engjëllit të Tënzot e së fundi përmendi edhe vigjiljen e lutjes ekumenike të 30 shtatorit të ardhshëm e cila do të mbahet përpara Asamblesë Sinodalale dhe u kërkoi të gjithëve të marrin pjesë.
apa Françesku në mesazhin me rastin e Ditës së 109-të Botërore të Emigrantëve dhe të Refugjatëve, me temë "Të lirë për të zgjedhur emigrimin, ose qëndrimin në atdhe”.
Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Emigrantëve e Refugjatëve
Në mesazhin me rastin e Ditës së 109-të Botërore të Emigrantëve dhe të Refugjatëve, me temë "Të lirë për të zgjedhur emigrimin, ose qëndrimin në atdhe”, Papa Françesku i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’u garantojë të gjithëve pjesëmarrjen në pasurinë e përbashkët, respektimin e të drejtave themelore dhe zhvillimin e gjithanshëm njerëzor. “Vetëm duke ecur së bashku do të jemi në gjendje të shkojmë larg dhe të arrijmë horizontin e përbashkët të udhëtimit tonë”.
E drejta për të mos emigruar
U duhet siguruar të gjithëve, vazhdon Papa, “një e drejtë ende e pakodifikuar, por me rëndësi themelore”: ajo “për të mos emigruar, pra, mundësia për të jetuar në paqe dhe me dinjitet në atdhe”. “Pasuritë botërore – vëren ai – nuk janë pa fund, zhvillimi i vendeve ekonomikisht më të varfra varet nga aftësia e të gjitha shteteve për t’i ndarë këto pasuri me njëri-tjetrin”. Në shumë raste, emigracioni nuk është zgjedhje e lirë e njerëzve, të cilët detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre, për shkak të “konflikteve, fatkeqësive natyrore, pamundësisë për të jetuar mirë në vendin e tyre”, por edhe për shkak të persekutimeve, pasojave të ndryshimeve klimatike e mjerimit. Për t’i eliminuar këto arsye, nënvizon Françesku, duhet ndalur “gara e armatimeve, kolonializmi ekonomik, vjedhja e pasurive të të tjerëve, shkatërrimi i shtëpisë sonë të përbashkët”.
Sfida e vendeve të origjinës
Papa u bën thirrje vendeve të origjinës së emigrantëve dhe qeveritarëve të tyre të jenë të përgjegjshëm, të zbatojnë politikën e mirë, transparente, të ndershme, largpamëse dhe në shërbim të të gjithëve, veçanërisht të më të ligshtëve. Njëkohësisht, Ati i Shenjtë kërkon që këtyre vendeve t’u jepet mundësia për këtë, “pa u grabitur burimet natyrore dhe njerëzore dhe pa u ndërhyrë nga jashtë”, duke favorizuar interesat e pjesshme të grupeve të caktuara. Emigrantët nuk duhet të bien viktima të iluzioneve të rrezikshme, ose të trafikantëve të paskrupullt. Për këtë arsye, flukset e tyre duhen shoqëruar dhe administruar, duke hapur kanale për emigracionin e sigurt dhe të rregullt.
Pa lënë jashtë askënd
Emigranti, vëren Françesku, nuk është thjesht një vëlla, ose një motër në vështirësi, është “Krishti, që na troket në derë” e na kërkon të hajë, të pijë, të mirëpritet, siç thuhet në kreun 25 të Ungjillit sipas Mateut. Prej këtej, rrjedh respekti për dinjitetin e çdo migranti dhe nevoja që kudo ku ka të krishterë, “të ketë gjithnjë një bashkësi gati për t’i pritur, për t’i mbrojtur, për t’i promovuar e për t’i integruar të gjithë, pa lënë askënd jashtë”. Mesazhi i Papës përfundon me një lutje:
“O Zot, Atë i Gjithëpushtetshëm, na jep hirin të punojmë me impenjim në favor të drejtësisë, solidaritetit dhe paqes, që të gjithë bijve të Tu t'u garantohet liria për të zgjedhur nëse duan të migrojnë apo të qëndrojnë në atdhe. Na jep guximin t’i denoncojmë të gjitha tmerret e botës, të luftojmë kundër çdo padrejtësie, që e shpërfytyron bukurinë e krijesave të Tua dhe harmoninë e shtëpisë sonë të përbashkët. Na mbaj me forcën e Shpirtit tënd të Shenjtë, që të dëshmojmë dhembshurinë Tënde për çdo migrant, të cilin Ti e vendos në rrugën tonë, si edhe të përhapim kulturën e takimit dhe të kujdesit në zemra e në çdo ambient”.