Papa: 60 vite pas “Pacem in Terris”, zotërimi i armëve atomike është i pamoralshëm
R.SH. – Vatikan
Duhet ta "mbajmë gjallë" vizionin se "një botë pa armë bërthamore është e mundur dhe e nevojshme". Jam i bindur se "përdorimi i energjisë atomike për qëllime lufte është i pamoralshëm, ashtu si edhe zotërimi i armëve bërthamore". Papa Françesku u drejtohet kështu, me një mesazh, pjesëmarrësve të konferencës ndërkombëtare, që po mbahet në Vatikan, në 60-vjetorin e Enciklikës së Papës shenjt Gjoni XXIII “Pacem në Terris”. Ati i Shenjtë fton të dëgjohet "paralajmërimi profetik i Papës Gjoni XXIII", sipas të cilit, "duke parë forcën e tmerrshme shkatërrimtare të armëve moderne", është edhe më e qartë se "marrëdhëniet ndërmjet shteteve e individëve duhet të rregullohen jo me forcë të armatosur, por sipas parimeve të arsyes së drejtë: pra, sipas parimeve të së vërtetës, drejtësisë dhe bashkëpunimit të sinqertë".
Sot, si 60 vite më parë, në krizën e raketave në Kubë
Në mesazhin drejtuar kardinalit Peter Turkson, kancelarit të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, organizatore e konferencës me temë "Lufta dhe pengesat e tjera për paqen", që përfundon më 20 shtator, Françesku vë në dukje se "koha aktuale i ngjan në mënyrë shqetësuese periudhës, që i parapriu enciklikës Pacem në Terris", me krizën e raketave të Kubës, që në tetor 1962 e çoi botën në prag të "shkatërrimit bërthamor". Fatkeqësisht, nënvizon Ati i Shenjtë, vitet e fundit, janë shtuar armët bërthamore, teknologjitë e tjera ushtarake, si edhe është vënë në rrezik konsensusi për ndalimin e armëve kimike dhe biologjike. Për këtë arsye, thekson Papa, "puna e Kombeve të Bashkuara dhe e organizatave të ngjashme në ndërgjegjësimin e publikut dhe në promovimin e masave të duhura normative mbetet thelbësore".
Armët konvencionale të përdoren vetëm për mbrojtje dhe jo kundër civilëve
Më tej, Papa shpreh shqetësimin "për implikimet morale të luftës bërthamore”, të cilat nuk duhet të errësojnë problemet gjithnjë e më urgjente etike, të ngritura nga përdorimi i të ashtuquajturave "armë konvencionale", që, sipas Françeskut, duhen përdorur vetëm për mbrojtje dhe jo kundër civilëve. Në përfundim, Ati i Shenjtë nënvizon hapësirën, që po i kushton konferenca e Vatikanit, çarmatimit dhe rrugëve për paqen e qëndrueshme. “Përveç analizës së kërcënimeve aktuale ushtarake dhe teknologjike kundër paqes – uron Papa Françesku – të përfshihet edhe një reflektim etik mbi rreziqet serioze, që lidhen me zotërimin e armëve bërthamore, mbi nevojën urgjente për hapa të reja drejt çarmatimit dhe mbi nismat për arritjen e paqes".