Mongolia: Zoja e të flakurve, ndër flakurina
R.SH. - Vatikan
Pranë një gher-it, domethënë një çadre, që përdoret si strehë për endacakët, rrëzë katedrales në Ulaanbaatar, Papa Françesku takoi një grua, zonjën Tsetsege, nënë e njëmbëdhjetë fëmijëve. Një grua e jashtëzakonshme që kishte gjetur diçka të jashtëzakonshme. Kishte gjetur, pra, rreth dhjetë vjet më parë, shtatoren prej druri të një gruaje të bukur, në një depo plehrash. Gruaja nuk e kuptoi se ishte Zoja e Papërlyer. Pasi u kthye në shtëpi, i pëshpëriti familjes së saj: "Kjo zonja e bukur deshi të vinte e të jetonte në çadrën time". Po shpejt e kuptoi se kush ishte! Atëhere ia dha statujën bashkësisë katolike, e cila e vendosi në famullinë aty pranë, ku ndodhet edhe sot e kësaj dite.
Kardinali Marengo: Virgjëra është pranë secilit prej nesh
Banorët e kësaj zone ia treguan më pas historinë e shtatores kardinalit Giorgio Marengo, Prefekt Apostolik të Ulaanbaatar. "Menjëherë mendova - kujton Kardinali në një shkrim botuar më vonë në gazetën “L’Osservatore Romano” - se përmes këtij zbulimi Virgjëra Mari donte të na fliste, të na thoshte diçka - po unë nuk isha në gjendje ta shpjegoja. Ashtu si më çudiste mendimi i gjetjes së Zojës në atë depo, veçanërisht në atë pjesë të vendit, ku ka shumë pak katolikë". “Mendova, atëhere, se Zoti, nëpërmjet Nënës së tij të Shenjtë, bëhet i pranishëm në situatat e vendet më të çuditshme, për të na treguar sesa i afërt është me secilin prej nesh”.
Nën sytë e Marisë
Kardinali Marengo nënvizoi gjithashtu se Virgjëra është "gjithmonë e gatshme të na takojë edhe në vendet, ku nuk e presim: vendet e dëshpërimit, të humbjes, të dhimbjes, të braktisjes". “Unë - vijon - fola për shtatoren edhe me Atin e Shenjtë, kur e vizitova me një delegacion të vogël murgjish budistë, nga Mongolia: i tregova edhe një figure të Saj, e ai u kënaq shumë duke e soditur”.
Më 8 dhjetor 2022, shtatorja e Virgjërës Mari u fronëzua në katedralen e Ulaanbaatar dhe u mbulua me një mantel me shumë copa të vogla rrobash të dërguara nga shumica e besimtarëve mongolë dhe nga misionarët. Me atë rast, kardinali Marengo ia kushtoi gjithë Mongolinë Marisë. Kështu "Nëna e Qiellit" u bë ikona e kësaj Kishe të re.