Kërko

Françesku dhe motra Salvia Mary Vandanakara Françesku dhe motra Salvia Mary Vandanakara

Mongolia, dëshmitë e misionarëve: "libra të gjallë në shërbim të Ungjillit"

Gjatë takimit të Papës me kishën lokale, një murgeshë, një prift mongol dhe një punonjës baritor rrëfyen historitë e tyre. Jetë të gërshetuara me misionin e Kishës në vendin aziatik

R.SH. - Vatikan

Bashkësia e vogël katolike e Mongolisë përqafoi Papën Françesku. Gjatë takimit të Atit të Shenjtë me ipeshkvijtë, priftërinjtë, misionarët, burra e gratë e kushtuara dhe punonjësit baritorë, katedralja e Shën Pjetrit dhe të Palit në Ulaanbaatar ushtoi nga këngët dhe dëshmitë, që të kujtojnë gerin tradicional,  banesë tipike e nomadëve mongolë.

Imzot Mumbiela Sierra: në Kishë askush nuk është i huaj

Para fjalimit të Papës, fjalën e mori presidenti i Konferencës së Ipeshkvijve të Azisë Qendrore, Imzot José Luis Mumbiela Sierra. “Faleminderit që erdhët në shtëpinë tonë, në gerin tonë”. “Në këto ditë, prania e pasardhësit të Shën Pjetrit apostull mes nesh – shtoi prelati – është  dëshmi e gjallë dhe e gëzueshme, që justifikon shpresën e një mori shekujsh”. Duke kujtuar, në vijim, se në Mongoli pothuajse të gjithë misionarët kanë ardhur nga vende dhe kontinente të tjera, imzot José Luis Mumbiela Sierra nënvizoi se "Kisha krijon vëllazëri" dhe se në Kishën katolike asnjë nuk është i huaj!

Meshtari mongol që dëshmoi para Papës
Meshtari mongol që dëshmoi para Papës

Dëshmia e një murgeshe

Kujdesi për fëmijët me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore, ndihma për të sëmurët dhe të moshuarit e braktisur nga familjet e tyre, pritja e të pastrehëve, jetesa e atyre që nuk kanë ushqim për të ngrënë dhe ndihma për familjet e varfra dhe të flakura në mes të katër rrugëve. Këto janë veprat, në shërbim të Ungjillit, që kryejnë çdo ditë Misionarët e Bamirësisë në Mongoli. Këtë e kujtoi motra Salvia Mary Vandanakara: “Nëpërmjet këtyre veprave bamirësie - kujtoi murgesha – përpiqemi t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë sesa të çmuar janë para syve të Zotit, me dëshirën e thellë për t’u rikthyer dinjitetin dhe vlerën e tyre njerëzore”. Motra Salvia Mary tregoi, më pas, se ajo mbërriti në Mongoli në vitin 1998, "kur Kisha sapo kishte filluar të lëshonte rrënjë". “Duke iu kushtuar shërbimit të më të varfërve ndër të varfër - kujtoi - ne ndjemë se duhej të jetonim mes tyre dhe të provonim disa nga vështirësitë me të cilat përballeshin, si mungesa e ujit dhe e nevojave të tjera elementare”.

Historia e një prifti mongol

Motra Salvia Mary Vandanakara kujtoi gjithashtu se mes të rinjve, që ndihmoheshin nga Misionarët e Bamirësis, ishte edhe një djalë, tani prift. Është At Sanjaajav Pjetri, i cili tregoi shkurtimisht historinë e tij:

"Zoti më dha mundësi të shumta të rritem si mongol në tokën mongole dhe gjithashtu më zgjodhi që të jap ndihmesën për shpëtimin e popullit tim". Atë Sanjaajav Peter shpjegoi më pas se në murin jashtë kishës së tij ka një pikturë të titulluar "Një ditë në Mongoli": simbol i një dite tradicionale dhe nomade të popujve mongolë", që tregon se Zoti "është pranë jetës së çdo njeriu".

Papa Françesku dhe Rufina Chamingerel, punëtore baritore
Papa Françesku dhe Rufina Chamingerel, punëtore baritore

Dëshmia e një punonjëseje baritore

Një tjetër dëshmi, që bëri jehonë gjatë takimit të Papës me kishën lokale, është ajo e Rufina Chamingerel, punëtore baritore. “Unë nuk u rrita në  familje katolike - tha ajo - por u bëra katolike kur isha studente. Një herë - vijoi - shkova për të vizituar stërgjyshin tim. Gjatë gjithë natës fola për jetën e Jezusit, që nga lindja e tij deri në ringjalljen e tij. Ai entuziazëm u  shndërrua në përgjegjësi. Atëhere shkova për të studiuar në Romë, prej nga u riktheva për të ndihmuar Kishën Mongole të rritet". "Ne jemi me fat që nuk kemi shumë libra katekizmi në gjuhën tonë - tha Rufina Chamingerel - por kemi shumë misionarë, që janë libra të gjallë".

02 shtator 2023, 14:26