Kërko

Mongoli, Françesku: dashuria falas jep gëzimin që zgjat, jo pushteti e pasuria

Në meshën në Steppe Arena të Ulan Batorit, Papa kujton se "zemra e krishterimit" nuk është ndonjë formë madhështie, por është bujaria, që bëhet dhuratë për të tjerët: në shkretëtirat e jetës, jemi "nomadë të Zotit”, Ai e shuan çdo etje shpirtërore

R.SH. – Vatikan

         Vetëm dashuria e shuan me të vërtetë etjen e zemrës së njeriut. Por, ç’lloj dashurie? Ajo, që Zoti ia jep falas njeriut e ajo, që njeriu, po falas, di t'ua dhurojë të tjerëve për Zotin. Françesku e bën të vërtetën thelbësore të krishterimit strumbullar për homelinë e tij, për mesazhin që i lë trashëgim Kishës së vogël të Mongolisë. Mesha, që mbylli pasditen e sotme në Ulan Bator (me orën vendase), në ditën e parafundit të udhëtimit apostolik të Papës në Mongoli, kremtohet në Steppe Arena, pallati ultra-modern i patinazhit, i pari i këtij lloji në vend, ku, që prej dy vitesh, zhvillohen garat e disiplinave sportive dimërore. Me rastin e meshës së kremtuar nga Papa, ai kthehet, për më se një orë, në kishën ku u mblodhën rreth 2000 besimtarë, praktikisht, e gjithë bashkësia katolike mongole. Besimtarët dëgjojnë Bariun e Kishës universale, ardhur nga Roma, që u flet për dy koncepte të mirënjohura nga ata, që kanë lindur ndërmjet stepave dhe shkretëtirës: etjen dhe nevojën për ta shuar atë.

Papa kremton meshën në Ulan Bator
Papa kremton meshën në Ulan Bator   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Nomadë të Zotit

I ulur para kryqit monumental, që qëndron pas tij në altar, me shtatoren prej druri të Vigjërës Mari anash, gjetur vite më parë në plehra nga një grua mongole, Françesku tërhoqi vëmendjen ndaj frazës "etja, që banon brenda nesh", marrë nga Psalmi i liturgjisë të së dielës. "Shumë prej jush - vëren ai - janë mësuar me bukurinë dhe me lodhjen e ecjes", pak si Abrahami dhe si çdo njeri që ndjek Krishtin. Me fjalë të tjera, pohon Papa, "ne jemi 'nomadë të Zotit'”, shtegtarë në kërkim të lumturisë, të “kuptimit dhe të drejtimit të jetës sonë, të arsyes për të gjitha veprimtaritë tona”. Burimi për të lehtësuar këtë etje është shumë i qartë për këdo, që e njeh Ungjillin.

“Feja e krishterë i përgjigjet kësaj etjeje; e merr seriozisht; nuk e zhduk, nuk përpiqet ta shuajë me ilaçe qetësuese apo me surrogate. Sepse në këtë etje qëndron misteri ynë i madh: ajo na e hap zemrën për Zotin e gjallë, për Zotin e Dashurisë, që vjen të na takojë për të na bërë bij të Tij dhe vëllezër e motra ndërmjet nesh”.

Papa në meshë, Ulan Bator
Papa në meshë, Ulan Bator   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Çfarë nuk e shuan etjen

Prandaj, vazhdon Françesku, duke kaluar në pikën e dytë të homelisë, është “dashuria ajo, që na e shuan etjen”. Jetët e të gjithëve, pati thënë Ati i Shenjtë në fillim dhe e përsëriti edhe më vonë, kalojnë nëpër ato shkretëtira, që quhen vetmi, lodhje, shterpësi. Ka kaq shumë lloje dhe çaste thatësire shpirtërore, që nuk duhet të gabojmë e t'i shuajmë, duke u joshur nga rrugë e shtigje të shkurtra, që nuk e kënaqin njeriun.

“Nëse mendojmë se për të shuar etjen në jetë mjafton suksesi, pushteti, gjërat materiale, kjo është mendësi e kësaj bote, që nuk sjell asgjë të mirë, përkundrazi, na lë më thatë se më parë. Është Jezusi, që na tregon rrugën: ‘Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, të marrë kryqin e tij dhe të më ndjekë’”.

Besimtarë mongolë në meshë, Ulan Bator
Besimtarë mongolë në meshë, Ulan Bator   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Vetëm dashuria i shëron plagët

Sepse "në zemër të krishterimit - kujton Françesku – është një lajm tronditës dhe i jashtëzakonshëm: kur e humbet jetën, kur e ofron me bujari, kur e rrezikon duke ia kushtuar dashurisë, kur ia jep dhuratë të tjerëve, ajo të kthehet më e begatë, të dikon në shpirt gëzimin që nuk kalon, paqen e zemrës, forcën shpirtërore që të mban”. E, përfundon Papa, “ne kemi nevojë për paqen e brendshme”.

“Kjo është e vërteta, që Jezusi na fton ta zbulojmë, që Jezusi dëshiron t'jua zbulojë të gjithë juve, në këtë tokë të Mongolisë: nuk ka nevojë të jemi të mëdhenj, të pasur apo të pushtetshëm për të qenë të lumtur. Vetëm dashuria na e shuan etjen e zemrës, vetëm dashuria na i shëron plagët, vetëm dashuria na jep gëzimin e vërtetë. E kjo është rruga, që Jezusi na e mësoi dhe e hapi për ne”.

03 shtator 2023, 11:52