Mbreti Philippe i Belgëve dhe mbretëresha Mathilde në audiencë tek Papa
Pas takimit me Françeskun, familja mbretërore bisedoi me imzot Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Ndër temat e diskutuara, disa çështje ndërkombëtare si situata në Afrikë, lufta në Ukrainë dhe impenjimi për paqen e popujve
R.SH. - Vatikan
Sot, Papa Françesku priti në audiencë familjen mbretërore belge, mbretin Philippe dhe gruan e tij, mbretëreshën Mathilde, të cilët më pas u takuan me imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Afrika, Ukraina dhe paqja
Gjatë bisedimeve në Sekretarinë e Shtetit, njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, “u shpreh kënaqësi për marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Belgjikës, duke vënë në dukje rolin e fesë së krishterë dhe të Kishës Katolike. Më pas, u fol për çështjet me interes të përbashkët dhe për disa probleme me natyrë ndërkombëtare, duke iu referuar veçanërisht Afrikës dhe luftës në Ukrainë, si edhe përkushtimit për paqen ndërmjet popujve”.
14 shtator 2023, 16:38