Kërko

Kardinali Matteo Zuppi Kardinali Matteo Zuppi

Kardinali Zuppi në Pekin, me mision nga Papa, për “paqen e drejtë”

Pas udhëtimeve në Kiev, Moskë dhe Uashington, kreu i ipeshkvijve italianë vijon nismën, që i ka besuar Françesku për "lehtësimin e tensioneve" në Ukrainë. Selia e Shenjtë: "Hap i mëtejshëm për të mbështetur iniciativat humanitare dhe kërkimin e shtigjeve, që mund të çojnë në paqen e drejtë". Kardinali: "Lutjet e shumë njerëzve më nxisin të end rrjetën e vështirë të paqes"

R.SH. – Vatikan

Pas muajsh pritjeje, si në Romë ashtu edhe në Pekin, mbërriti konfirmimi: misioni i paqes i kardinalit Matteo Maria Zuppi, ai, që Papa e pati quajtur "ofensivë paqeje" për "lehtësimin e tensioneve" në Ukrainën e martirizuar, vazhdon në Kinë, duke filluar nga dita e nesërme (13 shtator) e deri të premten, 15 shtator. Selia e Shenjtë njoftoi sot për udhëtimin e ri të kardinalit, i cili pati shkuar në qershor e korrik në Kiev, Moskë dhe Uashington.

“Në datat 13-15 shtator 2023, kardinali Matteo Maria Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, i shoqëruar nga një funksionar i Sekretarisë së Shtetit, do të shkojë në Pekin, si i dërguar i Atit të Shenjtë Françesku”, lexohet në deklaratën e publikuar nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. "Vizita përbën një fazë të mëtejshme në misionin e dëshiruar nga Papa për të mbështetur nismat humanitare dhe kërkimin e shtigjeve, që mund të çojnë në një paqe të drejtë".

Etapat e mëparshme në Ukrainë, Rusi dhe SHBA

Ashtu si në vizitat e mëparshme, nuk dihet programi i takimeve që kardinali Zuppi do të zhvillojë në kryeqytetin aziatik. Kreu i ipeshkvijve italianë pati shkuar në Kiev, më 5 dhe 6 qershor dhe në Moskë, më 28 dhe 29 qershor, pastaj, në Uashington, nga 17 deri më 19 korrik. Gjatë dy ditëve në Ukrainë, kryeipeshkvi i Bolonjës u takua me presidentin Volodymir Zelensky dhe me komisionerin parlamentar ukrainas për të drejtat e njeriut Dmytro Lubinets, së bashku me anëtarë të Këshillit të Kishave dhe të organizatave fetare. Në program, edhe lutja në Bucha, qytet disa kilometra larg Kievit, i njohur që në fillim të konfliktit, për shkak të masakrimit të civilëve nga ana e rusëve.

Megjithatë, në Moskë, kardinali Zuppi nuk u takua me presidentin rus Vladimir Putin. Pati një bisedë të gjatë me Yuri Ushakov, ndihmës i presidentit të Federatës Ruse për çështjet e politikës së jashtme, si edhe me Maria Lvova-Belova, komisionere e presidentit të Federatës Ruse për të drejtat e fëmijëve. Në të dyja takimet "u nënvizua aspekti humanitar i nismës, si edhe nevoja për të arritur paqen e shumëdëshiruar". I dërguari i Papës pati gjithashtu një takim - cilësuar si "i frytshëm" nga Selia e Shenjtë - me Kirillin, Patriarkun e Moskës dhe të gjithë Rusive, të cilit "i çoi përshëndetjen e Atit të Shenjtë, duke e informuar për nismat humanitare, që mund të lehtësojnë zgjidhjen paqësore”.

Nga data 17 deri më 19 korrik, ditët e vizitës në Uashington, kardinali Zuppi fillimisht pati një bisedë me imzot Timothy Broglio, kreun e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të SHBA-së, pastaj, me disa anëtarë të Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë ( Komisioni i Helsinkit) në qeverinë e SHBA-së, të cilëve u paraqiti natyrën dhe misionin e besuar nga Papa. I dërguari papnor, i shoqëruar nga një delegacion, shkoi më pas në Shtëpinë e Bardhë për të takuar presidentin Joe Biden, të cilit i dorëzoi një letër të Papës. Takimi zgjati mbi një orë. Biden u tregua i gatshëm për të mbështetur nismat në fushën humanitare për njerëzit më në nevojë, duke filluar nga fëmijët, veçanërisht ata ukrainas të transferuar me forcë në Rusi, kthimi i të cilëve në shtëpi është ndër përparësitë e këtij misioni të dëshiruar fort nga Françesku.

12 shtator 2023, 18:44