Kërko

Françesku: edukimi dhe kujdesi janë përparimi i vërtetë i kombeve, jo armët

Papa përuron Shtëpinë e Mëshirës në Ulaanbaatar ditën e fundit të shtegtimit të tij në Mongoli. Simbol i vlerës së bamirësisë në Kishë, të kujton edhe rolin e vullnetarizmit të lirë, larg logjikës së shpërblimit: "E vetmja gjë që të duhet për të bërë mirë, është zemra e mirë"

R.SH. - Vatikan

Në dy fjalët e emrit të "Shtëpisë së Mëshirës", ndërtesës trekatëshe në lagjen Bayangol të Ulaanbaatar, që ndihmon më të ligshtit në kryeqytetin mongol, "përmblidhet i gjithë përkufizimi i Kishës, shtëpi mikpritëse, ku të gjithë mund të provojnë dashurinë më të madhe, atë që ta prekë  zemrën: dashurinë e ëmbël dhe të kujdesshme të Atit, i cili do që ne të jemi vëllezër e motra në shtëpinë e tij”. Këtë kujtoi Papa Françesku duke përuruar ndërtesën, projekti i së cilës filloi në vitin 2019 me nismën e Kishës  Mongole, duke bekuar një pllakë me emrin e tij, gjatë fazës së fundit të shtegtimit në vendin aziatik, përpara ceremonisë së lamtumirës.

Një port, ku të dëgjojnë e të kuptojnë

Fëmijë dhe adoleshentë me fëmijëri fatkeqe, njerëz të pastrehë, të cilëve u mungon kujdesi shëndetësor kombëtar, viktima të dhunës në familje, invalidë, emigrantë… Këta do të jenë mysafirë të kësaj strukture, “shprehje konkrete e kujdesit për tjetrin, ku ata do të mund të njohin vetveten”, do të gjejnë "portin, për t'u ankoruar" e ku "vëllezërit dhe motrat që luftojnë për t’i zgjidhur problemet e vështira të jetës" mund të dëgjohen e të mirëkuptohen. Përmasa bamirëse, kriter për njohjen e Zotit në botë dhe garantimin e Mbretërisë së Tij, mbështet identitetin e Kishës, ngritur mbi katër shtylla: mbi “bashkimin, liturgjinë, shërbimin e dëshminë”.

Shërbimi i domosdoshëm i vullnetarizmit

Papa i falënderoi të krishterët mongolë lidhur me "thirrjen për bamirësi", që nisi në këto vise të largëta me ardhjen, në vitet nëntëdhjetë, të misionarëve të parë katolikë, të cilëve vetë qeveria mongole u kërkoi ndihmë për t'u marrë me emergjencat e shumta sociale të një vendi, i cili po jetonte fazën delikate të tranzicionit politik, karakterizuar nga varfëria e përhapur”. E në vijim, kujtoi veçanërisht  ata që i mbështesin këto vepra bamirësie me vullnetarizmin, shërbim i domosdoshëm, "thjesht falas dhe painteres i njeriut për njeriun nevojtar", pa pritur shpërblim ekonomik, as përfitim personal, "por thjesht nga dashuria e pastër për të afërmin".

Dhurimi falas nuk mbetet pa shpërblim

“Dhurimi falas nuk të lë kurrë pa shpërblim: lehtëson shpirtin, shëron plagët e zemrës, të afron me Zotin, të hap burimin e gëzimit dhe të mban gjithnjë të ri në shpirt. Në këtë vend plot me të rinj, vullnetarizmi mund të jetë një mënyrë vendimtare për rritjen personale dhe shoqërore.

Edhe për shoqëritë me zhvillim të lartë teknologjik e me standard të lartë jetese, vetëm sistemi i sigurimeve shoqërore nuk mjafton për të ofruar të gjitha shërbimet për qytetarët”, nënvizoi Françesku, “nëse përveç kësaj nuk ka grupe vullnetarësh që dhurojnë kohë, aftësi dhe burime për dashurinë ndaj tjetrit”:

“Progresi i vërtetë i kombeve nuk matet me pasurinë ekonomike, e aq më pak me çka investojnë në fuqinë iluzore të armatimeve, por me aftësinë për të siguruar shëndetin, arsimin dhe rritjen e gjithanshme të njerëzve”.

Shtëpia e Mëshirës
Shtëpia e Mëshirës   (Vatican Media)

Tre mitet për vullnetarizmin

Për punonjësit e Shtëpisë së Mëshirës kjo do të jetë "palestër gjithmonë e hapur, ku secili mund të ushtrojë dëshirat dhe të stërvisë zemrën" - kujtoi Papa - e më pas hodhi poshtë tre nga "mitet", që shpesh e shoqërojnë botën e vullnetarizmit. Para së gjithash, nuk është e vërtetë se vetëm njerëzit e pasur mund të angazhohen në këtë aktivitet. “Nuk është e nevojshme të jesh i pasur për të bërë mirë, përkundrazi janë pothuajse gjithmonë njerëzit e zakonshëm që i kushtojnë kohën, dijen dhe zemrën kujdesit për të tjerët” - nënvizoi Papa, i cili më pas përsëriti se Kisha nuk angazhohet në shoqëri për prozelitizëm, "sikur të kujdesesh për tjetrin të ishte një formë bindëse për të tërhequr dikënd, në anën e dikujt":

“Jo, të krishterët i njohin ata që janë në nevojë dhe bëjnë gjithçka është e mundur për t’i lehtësuar vuajtjet e tyre, sepse aty shohin Jezusin, Birin e Zotit e tek Ai, dinjitetin e çdo njeriu, të thirrur për të qenë bir a bijë e Zotit. Më pëlqen ta përfytyroj këtë Shtëpi të Mëshirës si vend ku njerëz të ‘besimeve’ të ndryshme, madje edhe jobesimtarë, bashkojnë përpjekjet e tyre me ato të katolikëve vendas për të ndihmuar me dhembshuri sivëllezërit e simotrat”.

Vetëm dashuria e mposht egoizmin dhe e bën botën të ecë përpara

Miti i tretë, që duhet rrëzuar - vazhdoi Papa - është ai, sipas të cilit në punën vullnetare llogariten vetëm mjetet ekonomike, “sikur e vetmja mënyrë për t'u kujdesur për të tjerët të ishte përdorimi i personelit me rrogë dhe investimi në struktura të mëdha”. “Sigurisht - shpjegoi Françesku - bamirësia kërkon profesionalizëm, por nismat bamirëse nuk duhet të bëhen biznese, përkundrazi, duhet të ruajnë freskinë e veprave të bamirësisë, ku ata që kanë nevojë, gjejnë njerëz të aftë për dëgjim e dhembshuri, përtej çdo kompensimi”. Për të bërë vërtet mirë - përfundoi Papa - "është e domosdoshme zemra e mirë, e vendosur të kërkojë më të mirën për tjetrin".

Shikoni videon e plotë nga Shtëpia e Mëshirës

 

 

04 shtator 2023, 10:50